TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Qershor 2026, 09:22

Nga bregdeti në Tiranë, media izraelite: Revolta kërkon largimin e Ramës dhe Berishës

Shkruar nga Pamfleti

Nga bregdeti në Tiranë, media izraelite: Revolta kërkon largimin

Vëzhgues vendas fajësojnë Rusinë, Iranin dhe Turqinë për përpjekje për të nxitur trazira në Shqipëri, një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Të tjerë, ndërkaq, pretendojnë se shfaqjet antisemitike janë një operacion i sajuar për të diskredituar protestat...

Prej 26 ditësh, mijëra qytetarë shqiptarë kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si Kryeministër, ndërsa revoltat që nisën në fund të majit, janë drejtuar kundër klasës politike që qeveris vendin prej 36 vitesh. “Rama n’burg, Berisha n’burg” është një nga thirrjet më të shpeshta të protestuesve, ndërsa ai që konsiderohet si revolucioni flamingo ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e mediave ndërkombëtare, por edhe interesimin e tyre.

Media izraelite në një artikull të sajin shkruan se protestat që shpërthyen kundër projektit për një resort bregdetar me vlerë 4 miliardë dollarë, shumë shpejt u shndërruan në kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili drejton vendin prej shumë vitesh.

Në vijim thuhet se në disa nga protestat janë shfaqur postera që paraqesin Edi Ramën si një hebre hasidik me pamje kërcënuese, ndërsa të tjerë përmbajnë harta të Shqipërisë të shoqëruara me slogane që denoncojnë një "pushtim sionist" të territorit shqiptar.

Organizatorët e protestave paqësore këmbëngulin se nuk kanë asgjë kundër Izraelit, hebrenjve apo familjes së Donald Trumpit. Ata thonë se objektivi i tyre kryesor është kryeministri Edi Rama dhe, gjithnjë e më shumë, rivali i tij politik, Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike. Sipas tyre, të dy kanë dominuar politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit në vitin 1990”, vijon artikulli.

Por mes rreshtash media izraelite shkruan se “megjithatë, në rrjetet sociale vazhdojnë të qarkullojnë lajme të rreme dhe video të krijuara me inteligjencë artificiale në Facebook, TikTok, Instagram dhe YouTube. Një prej tyre pretendonte se: "Trump dhe Kushner po ia shesin bregdetin shqiptar miliarderëve hebrenj dhe ushtrisë izraelite." Kushner, i martuar me Ivanka Trump, është hebre praktikues dhe njihet për lidhjet e tij të ngushta me Izraelin”.

Vëzhgues vendas fajësojnë Rusinë, Iranin dhe Turqinë për përpjekje për të nxitur trazira në Shqipëri, një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Të tjerë, ndërkaq, pretendojnë se shfaqjet antisemitike janë një operacion i sajuar për të diskredituar protestat. Megjithatë, një pjesë e retorikës antisemitike ka kaluar nga rrjetet sociale në jetën reale.

Të shtunën në mbrëmje, një grua me fytyrë të mbuluar u ngjit mbi murin që ndan Ambasadën e Izraelit nga një prej bulevardeve kryesore të Tiranës, hoqi flamurin izraelit dhe e grisi atë, ndërsa të pranishmit brohorisnin.

Veprimi u dënua ashpër si nga Edi Rama, ashtu edhe nga Sali Berisha”, vijon artikulli.

Më pas jepet edhe reagimi i ambasadores së Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

"Si ambasadore e një shteti demokratik, besoj në të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të protestuar," shkroi Peleg në platformën X, duke shtuar "megjithatë, një akt i tillë turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare."

Ajo u bëri thirrje ambasadave të huaja në Tiranë që t'u bashkoheshin Ramës dhe Berishës në dënimin publik të incidentit, "pavarësisht qëndrimit të qeverive të tyre ndaj Izraelit". Deri tani, sipas saj, asnjë ambasadë nuk e ka bërë këtë.

Në një prononcim për Jeëish Telegraphic Agency (JTA), Peleg tha: "nuk po mbaj shpresa."

Megjithatë, ambasadorja, e cila shërben në Shqipëri prej gati katër vitesh, kërkoi ta vendoste situatën në perspektivë. "Kjo nuk është një protestë kundër hebrenjve. Në raport me numrin e protestuesve, bëhet fjalë vetëm për një grup të vogël që përpiqet të provokojë turmën me mesazhe antisemitike."

Aktivisti Andi Tepelena, i cili mbrojti protestat, të cilat fundjavën e kaluar, sipas raportimeve, mblodhën deri në 200 mijë pjesëmarrës, afro 1/10 e popullsisë së vendit, tha se nuk e di kush e hoqi flamurin e Ambasadës së Izraelit. "Nuk mund t'i kontrollojmë të gjithë njerëzit e çmendur. Kjo është përgjegjësi e shtetit dhe e shërbimeve të tij të sigurisë," tha ai, duke shtuar “ne jemi të përqendruar vetëm te problemet e Shqipërisë. Kjo nuk ka lidhje me Izraelin, Palestinën apo Shtetet e Bashkuara. Dhe nuk është çështje e Kushnerit. Mund të ishte kushdo."

Vetë Edi Rama duket se nuk e beson këtë version. Në një intervistë për Financial Times, të botuar të martën, ai deklaroi se nuk është "Kumbari i Shqipërisë" dhe akuzoi Iranin për nxitjen e trazirave.

"Njerëzit thonë se unë jam organizatori i gjithë kësaj. Unë u them: ikni në djall. Kaq e thjeshtë," tha Rama. Ai shtoi se se "nëse nuk do të ishte Jared Kushner, askush nuk do t'ia dinte për flamingot, për Shqipërinë apo për asgjë. Është urrejtja ndaj Trumpit ajo që ka krijuar gjithë këtë vëmendje."

Peleg tha për JTA se "në periferi të protestës ka persona që përpiqen ta rrëmbejnë atë për interesat e tyre. Janë pakicë, por ka edhe njerëz naivë që shohin këto gjëra në rrjetet sociale dhe më pas pyesin pse izraelitët po blejnë territore në Shqipëri."

Zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel kanë bërë të qartë se vazhdimi i ndërtimit në kundërshtim me standardet mjedisore të BE-së mund të rrezikojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në union.

Megjithatë, Rama nuk ka tërhequr mbështetjen për projektin. Në një reagim të zemëruar, pak pasi protestat nisën në Tiranë, ai i quajti protestuesit "nazistë". David Isaac, president i Komunitetit Hebraik të Shqipërisë, tha se pajtohet me vlerësimin se qëllimi kryesor i protestave është ndalimi i një projekti që shumë shqiptarë e konsiderojnë të paligjshëm dhe pa mbikëqyrje të mjaftueshme. Megjithatë, ai tha se ka vërejtur edhe prani të elementëve antisemitikë gjatë protestave. "Kjo nuk ka të bëjë me komunitetin hebraik në Shqipëri apo me investitorët izraelitë," tha Isaac.

"Ne mendojmë se fanatikë islamikë, të cilët duan të prishin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, po e bëjnë këtë që të krijojnë përshtypjen se shqiptarët nuk i duan hebrenjtë. E gjithë kjo është propagandë e rreme", shtoi ai.

Rreth gjysma e 2 milionë banorëve të Shqipërisë janë myslimanë. Megjithatë, shumica e shqiptarëve nuk janë shumë praktikues të fesë, një trashëgimi e gjysmë shekulli sundimi stalinist nën diktatorin Enver Hoxha dhe pasardhësin e tij, Ramiz Alia, të cilët e shndërruan Shqipërinë në një nga vendet më të varfra dhe më të izoluara të Evropës.

Sot në Shqipëri jetojnë mes 50 dhe 200 hebrenj, megjithëse është e vështirë të përcaktohet një numër i saktë. E vetmja sinagogë në vend ndodhet në jug të Tiranës dhe drejtohet nga rabini ortodoks Yoel Kaplan, i lindur në Brooklyn dhe i rritur në Izrael. Ai nuk pranoi të komentonte protestat për Jeëish Telegraphic Agency (JTA).

Përveç komunitetit vendas, David Isaac vlerëson se në Shqipëri jetojnë deri në 3 mijë hebrenj të huaj, kryesisht izraelitë, amerikanë dhe evropianë, të cilët janë vendosur në vend për shkak të kostos së ulët të jetesës, bukurive natyrore dhe traditës shqiptare të miqësisë me popullin hebre.

Roli i veçantë i Shqipërisë në strehimin e hebrenjve gjatë pushtimit nazist është dokumentuar gjerësisht. Një ekspozitë fotografike në muzeun Bunk'Art 2 në Tiranë tregon historinë e 75 myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve shqiptarë që rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë nga deportimi dhe vdekja e sigurt pas pushtimit gjerman të Shqipërisë në fund të vitit 1943.

Për më tepër, kryeministri Edi Rama, i cili mbajti një fjalim në Knessetin izraelit në fillim të këtij viti, po mbikëqyr ndërtimin e dy muzeve kushtuar historisë hebraike dhe shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore: një në Tiranë dhe një tjetër në Vlorë, pranë zonës ku planifikohet resorti i Jared Kushner.

Në vitin 2024, Shqipëria organizoi seminarin e saj të parë për edukimin mbi Holokaustin, me pjesëmarrjen e 25 mësuesve të shkollave të mesme në Elbasan. Instituti Olga Lengyel, organizator i aktivitetit, planifikon të mbajë një konferencë të ngjashme në fund të muajit gusht në Tiranë, në bashkëpunim me Shoqatën e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë.

Falë inaugurimit, në mars 2025, të fluturimeve direkte të kompanisë El Al midis Tel Avivit dhe Tiranës, afro 60 mijë turistë izraelitë vizituan Shqipërinë gjatë vitit të kaluar, një rritje prej 570 për qind krahasuar me vitin 2024.

Isaac tha se është "100 për qind i bindur" se Irani qëndron pas retorikës anti-Izrael në internet, ndërsa, sipas tij, financime vijnë edhe nga Turqia, ndikimi i së cilës në Shqipëri daton prej shekujsh të sundimit osman. Ai shtoi se Irani është njohur më parë për përdorimin e operacioneve kibernetike dhe të dezinformimit për të destabilizuar kundërshtarët e tij.

Arbana Xharra, gazetare nga Kosova dhe eksperte për ekstremizmin fetar, tha se grupet antisemite dhe anti-perëndimore kanë shfrytëzuar prej vitesh protesta të tilla për të çuar përpara agjendat e tyre.

"Kjo nuk është një dukuri e re. Prej vitesh grupe të tilla veprojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe pjesë të tjera të Ballkanit, duke u përpjekur të fusin konflikte ideologjike dhe gjeopolitike në çështje lokale," tha ajo për JTA nga Nju Jorku.

Megjithatë, gazetari i njohur italian me origjinë hebraike, Maurizio Molinari, i cili aktualisht jep një kurs mbi luftën hibride në Universitetin Reichman në Tel Aviv, ia atribuon përgjegjësinë kryesisht Rusisë.

"Kushdo që e njeh Shqipërinë e di shumë mirë se shqiptarët nuk i urrejnë hebrenjtë," tha ai, duke shtuar “por ekziston një faktor tjetër: Edi Rama është shumë pro Perëndimit, ndoshta lideri më pro-perëndimor në Ballkan. Prandaj duhet të pyesim se nga vijnë këto protesta. Ato ishin të papritura, shumë agresive dhe shumë jo tipike për Shqipërinë."

Molinari punoi për gazetën italiane La Stampa nga viti 1997 deri në vitin 2020, katër vitet e fundit si kryeredaktor. Gjatë kësaj periudhe ai vizitoi Shqipërinë të paktën dhjetë herë, duke raportuar për emigracionin, korrupsionin dhe përpjekjet e vendit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

"Qëllimi është të krijohet kaos," tha ai.

"Meqenëse Rusia nuk mund ta mposhtë teknologjikisht Perëndimin, mënyra e vetme është ta dobësojë nga brenda. E kemi parë këtë gjatë Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, më pas gjatë pandemisë COVID-19 në Evropë, në protestat kundër Emmanuel Macron në Francë dhe kundër Angela Merkel në Gjermani."

Ai shtoi: "ajo që po ndodh sot në Shqipëri është një shembull i rrezikut të luftës hibride. Pas 7 tetorit, të njëjtët robotë dhe llogari të koordinuara që më parë mbështesnin propagandën pro-ruse kundër Ukrainës, u kthyen në propagandë pro-Hamas kundër Izraelit. Kjo është pjesë e një strategjie globale."

Megjithatë, edhe nëse mesazhet antisemitike janë të fabrikuara, ato po arrijnë një audiencë ndërkombëtare. "Unë e dua Shqipërinë për këtë," shkroi në platformën X komentatorja amerikane e ekstremit të djathtë Candace Oëens, e njohur për përhapjen e teorive konspirative antisemitike. /Përshtati Pamfleti/

 

protesta izraeli berisha rama

2 Komente

  1. T
    Tony

    Izraeli shtet kriminel nuk mund te kete me respekt nga Shqiptaret. Shqiptaret jane popull qe nuk duan tia dine per semitizma e izma e izma. Kush eshte pas ketij zullumi le ta nxjerre fytyren. Pse nuk botohen dokumentat, jo vetem te Sazanit e Zvernecit e te te gjitha objekteve, trojeve, ndertesave e shtepive qe iu jane shitur te huajve qe nga poli veriut deri ne pol te jugut. Kur doni nxirrni, per turp, te justifikoni Shgqiptaret cfare kane blere, si i kane blere e ku i gjeten parate. Nje e dy Shqiptaret jane Mafia gjigande e fusin para droge e mjau mjau. Super Mafia jane Bankat Cifute qe bejne ligjin ne bote. Pastaj vijne Mafia me e fuqishme ne bote eshte Mafia Kineze, qe ka ne cdo kryeqytet e qytet gjigand ne te gjitha shtetet e botes 'China Town' e nuk ndihen se dine ta lyejne qerren urte e bute. Te dytet vijne Ruset qe kane pushtuar qe nga USA e rreth e rrotull. C'mafja zeza jane Shqiptaret kokematare, te vetmuar neper rruget e botes. Si qenka Izraeli mik me Shqiperine kur shet e ble arme me Serbine qe te na bien ne kokes me keto arme? Shqiptaret e mencur nuk i mashtron kush se kane histori te dhimbshme me te huajt.

    1. A
      Anna Anna

      Tony! Faleminderit shumë jo vetëm për analizën korrekte,por edhe për kurajon civile për t'i vendosur pikat mbi i!????????????????????

      Lini një Përgjigje