
Edi Rama, kryeministër dhe kryetar i PS-së, pritet t’i rikthehet takimeve me Diasporën, ndërkohë që drejtues politik të kësaj force dhe kryebashkiakë të saj, do të nisin punën përgatitore.
Paralelisht me çeljen e procesit të regjistrimit të emigrantëve si votues në zgjedhjet e 11 majit, PS do të nisë procesin e takimeve.
Të shtunën, pra në 11 maj, në Greqi do të zbarkojnë Belinda Balluku, zv.Kryeministre dhe drejtuese politike e Fierit, së bashku me Bledi Çuçin drejtues politik i Vlorës. Gjithashtu do t’I bashkohet edhe Mirela Kumbaro si drejtuese politike e Gjirokastrës, ndërsa ato do të shoqërohen nga Kryebashkiakët e Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës, respektivisht Armando Subashi, Ermal Dredha dhe Flamur Golemi.
Pas Greqisë, vëmendja do të jetë në Itali, ku duket se do të angazhohet Taulant Balla, si koordinatori socialist për Diasporën, ndërkohë që po punohet për vijimin e tureve në Gjermani e Britaninë e Madhe, Belgjikë e Francë.
I gjithë procesi do të ecë paralelisht me regjistrimin, ku duket se socialistët e Edi Ramës do të tentojnë të kenë të dhëna të sakta mbi numrin e pjesëmarrësve, por edhe prirjet politike të të gjithë atyre që do t’I bashkohen procesit në 11 maj.
Për herë të parë në një proces elektoral në Shqipëri, do të ketë pjesëmarrje në votime të Diasporës, vota e të cilëve do të dërgohet me postë dhe pritet që numërimi i tyre të bëhet në KQZ.
Edi Rama ka paralajmëruar se votat e Diasporës do të jenë në mbështetje të PS-së, ndërsa publikisht është denoncuar nga opozita se po tentohet përdorimi i patronazhistëve dhe zyrtarëve të administratës lidhur me ndërhyrjen në process, duke ushtruar presion për të mbështetur me votë Partinë Socialiste.
Lini një Përgjigje