
Sali Berisha dhe ata që i shkojnë pas e kanë arritur qëllimin. Marsida Xhaferllari, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese ka vendosur të dorëhiqet nga çështja ndaj Sali Berishës.
Prej disa ditësh ajo është sulmuar nga mediat pranë Berishës dhe njerëz afër tij, pasi është partnere e deputetit Enkelejd Alibeaj.
Berisha ka ankimuar vendimin e shkallëve të tjerë, të cilat aprovuan “arrestin shtëpiak”. Si Berisha, ashtu edhe Malltezi kërkojnë rrëzimin e masës së sigurisë.
Edhe në rastin e masës “detyrimi për tu paraqitur”, u kërkuar largimi i Xhaferllarit, por gjykata e refuzoi.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçajt, Xhaferllari thekson se i ka qëndruar me përpikmëri punës së saj dhe në asnjë moment nuk është ndikuar nga faktorë të jashtëm apo dhe persona të tjerë më qëllim ndikimin në çështjen e Berishës dhe Malltezit.
“Në asnjë rast, asnjë familjar dhe asnjë person me lidhje të afërta me mua nuk ka tentuar të më ndikojë në ushtrimin e detyrës. Në kërkesë nuk ka asnjë provë që sugjeron një veprim specifik nga ana ime, por vetëm aludime subjektive të palëve të treta.
Deklaroj se nuk kam marrë pjesë në asnjë aktivitet politik të ndonjë partie apo shoqate me natyrë politike. Për më tepër, kujtoj se edhe Kuvendi i Republikës, me shumicën politike të asaj kohe, ka miratuar një rezolutë kundër anëtarësimit tim në Gjykatën Kushtetuese, gjë që tregon qëndrim të kundërt me atë që përfaqëson kërkuesi ose personat që ai përmend. Po ashtu, gjatë karrierës sime profesionale kam shërbyer edhe në administratën e lartë shtetërore, nën drejtimin e z. Sali Berisha, person i afërt me kërkuesin, çka mund të kishte krijuar dyshime të kundërta, nëse pranohen insinuatat për lidhje emocionale ose politike.
E kuptoj që insinuatat e natyrës politike mund të zënë vend në një shoqëri si e jona, dhe për këtë arsye i vlerësoj me kujdes. Kam dëshmuar gjithmonë qëndrime profesionale, dhe jam deklaruar hapur kur kam qenë në pakicë, duke dokumentuar në çdo rast mendimin tim, mbi të cilat mund të gjykohet objektivisht nga palët pjesëmarrëse në gjykim dhe nga çdo qytetar”, shkruan ajo ndër të tjera në kërkesën dorëzuar Zaçajt.
Lini një Përgjigje