
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka komentuar Komisionin e Posaçëm antikorrupsion që pritet të ngrihet ditën e nesërme në seancën plenare në Kuvend.
Korreshi deklaroi se ky komision po ngrihet pa pasur një objekt, ndërsa shtron dhe disa pyetje.
“Deri tek pika 7-të e rezolutës çdo gjë është ‘ok’, këtu dihet se çdo gjë e ka kapur krimi, korrupsioni. Ajo që na shqetësonte neve dhe që duhet të shqetësojë shqiptarët është pika 8-të e rezolutës, që është ngritja e këtij komisioni. Që do të thonë se në pikën 8-të, përveç se ngritjen e një komisioni hetimor nuk ka objekt të veprimtarisë së këtij komisioni. Pra ku është objekti i veprimtarisë së këtij komisioni? Çfarë do të prodhojë ky komision? Ne të shkojmë nesër të ngrejmë një komision, pa ditur se me çfarë merret ky komision”, u shpreh Korreshi.
Ndër të tjera, Korreshi i quan deputetët budallenj nëse votojnë një komision të tillë.
“Dihet që në Shqipëri fusha më e madhe ose më potente nga të gjithë është fusha legjislative, pra parlamenti i Republikës së Shqipërisë. Nesër ne 140 budallenj aty na jep truri që t’i shkrijmë të gjitha me prokurori, me gjykata sepse këtë kemi tagrin që ne me anë të një votimi shumice prej 140 deputetësh, mund të heqim Kushtetutën dhe ta kthejmë sulltanat, dhe të vëmë sulltan Skënderbeun e Elisës”, tha Korreshi.
Lini një Përgjigje