Brukseli jep sinjale pozitive për raportin IBAR, por disa shtete anëtare nuk kanë ndezur ende “dritën jeshile”
Procesi i integrimit europian të Shqipërisë ndodhet në një moment vendimtar, teksa në Bruksel po zhvillohen diskutime intensive mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian për raportin më të rëndësishëm të fazës aktuale të negociatave.
Në mbledhjen e zhvilluar sot nga Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese për Anëtarësim në BE (COELA), 27 shtetet anëtare diskutuan mbi Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) për Grupkapitullin 1, të njohur si “Themeloret”.
Ky grupkapitull konsiderohet zemra e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi përfshin drejtësinë, luftën kundër korrupsionit, të drejtat themelore, sigurinë, prokurimet publike dhe kontrollin financiar.
Burime diplomatike në Bruksel bëjnë me dije se ende nuk është arritur një dakordësi e plotë mes vendeve anëtare, pasi tre shtete nuk kanë dhënë ende “dritën jeshile” për draftin final.
“COELA nuk ka rënë ende dakord në këtë fazë. Vetëm pas marrëveshjes dosja kalon te ambasadorët”, deklaroi një burim europian për mediat ndërkombëtare.
Megjithatë, pavarësisht rezervave të disa vendeve, sinjalet nga Brukseli konsiderohen pozitive.
Burime nga Këshilli i BE-së për “European Western Balkans” bëjnë të ditur se vendet anëtare janë afruar ndjeshëm drejt një kompromisi dhe se ka progres të dukshëm krahasuar me situatën e fillimit të muajit prill, kur procesi konsiderohej shumë më i bllokuar.
Nëse arrihet marrëveshja në nivelin e COELA-s, hapi i radhës do të jetë miratimi në COREPER, pra në mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, e planifikuar për 22 maj.
Në rast miratimi, Shqipërisë do t’i hapej rruga për zhvillimin e një konference të re ndërqeveritare me Bashkimin Europian dhe për kalimin në fazën tjetër të negociatave.
Raporti IBAR ka rëndësi vendimtare për Shqipërinë, pasi një vlerësim pozitiv konsiderohet kusht kyç për mbylljen e kapitujve të parë negociues dhe për avancimin real të procesit të anëtarësimit.
Diskutimet në Bruksel po zhvillohen në një moment të tensionuar politik në Shqipëri, ku opozita dhe mazhoranca vijojnë përplasjet për korrupsionin, reformën në drejtësi dhe raportet me SPAK.
Megjithatë, fakti që Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë kapitujt negociues dhe se BE po diskuton tashmë fazën e mbylljes së tyre konsiderohet një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit.
Burime europiane theksojnë se aktualisht nuk ka një bllokim formal ndaj Shqipërisë, por kërkohet konsensus i plotë i të gjitha vendeve anëtare për të ecur përpara me raportin IBAR dhe kapitujt e parë të negociatave. /Pamfleti
Lini një Përgjigje