TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Maj 2026, 21:04

Gjenerali i Trump për Shqipërinë del nesër para Senatit, nis zyrtarisht rruga drejt Tiranës

Shkruar nga Pamfleti
Gjenerali i Trump për Shqipërinë del nesër para Senatit, nis
Eric Wendt

Pas gati 3 vitesh pa ambasador, Eric Wendt pritet të rikthejë peshën e fortë të SHBA në politikën shqiptare

Nesër në orën 16:00 me orën shqiptare, kandidati i Donald Trump për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, gjenerali në pension Eric Wendt, do të dalë para Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, në një seancë që konsiderohet hapi më i rëndësishëm drejt konfirmimit të tij në Tiranë.

Seanca dëgjimore pritet të fokusohet te marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, siguria në Ballkan, bashkëpunimi rajonal dhe roli strategjik i Shqipërisë në NATO, por vëmendja më e madhe është te vetë profili i kandidatit të përzgjedhur nga Trump. 

Gjenerali i Trump për Shqipërinë del nesër para Senatit, nis

Pas afro tre vitesh pa ambasador amerikan në Tiranë, rikthimi i një emri me profil të fortë ushtarak shihet si sinjal se administrata Trump po kërkon të rikthejë ndikimin e drejtpërdrejtë amerikan në Shqipëri dhe rajon.

Eric Wendt nuk është diplomat karriere. Ai është një nga figurat më të njohura të strukturave speciale amerikane.

Gjeneral-lejtnant i pensionuar, Wendt ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, ndërsa më herët ka mbajtur poste kyçe në Afganistan, Kore, Komandën e Paqësorit dhe në koordinimin e sigurisë mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.

Ai ka mbi 34 vite eksperiencë ushtarake, ku më shumë se 30 vite i ka kaluar në forcat speciale amerikane “Green Berets”.

Pikërisht ky profil po shihet si mesazh politik i qartë nga Donald Trump.

Ndryshe nga diplomatët tradicionalë, Trump ka zgjedhur për Shqipërinë një figurë sigurie dhe operacionesh speciale, në një moment kur Ballkani po shihet gjithnjë e më shumë si zonë me rëndësi strategjike për SHBA.

Emri i Wendt vjen pas një periudhe të gjatë vakumi diplomatik në Tiranë.

Që prej largimit të Yuri Kim në qershor 2023, ambasada amerikane ka funksionuar vetëm me të ngarkuar me punë dhe të dërguar të përkohshëm. Gjatë kësaj kohe, në politikën shqiptare është ndjerë mungesa e një ambasadori me peshë të plotë politike dhe diplomatike.

Në kohën e Yuri Kim, ambasada amerikane kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike në vend, ndërsa liderët shqiptarë rreshtoheshin hapur përballë qëndrimeve të saj.

Por mungesa e një ambasadori të plotfuqishëm për gati tre vite ka krijuar perceptimin se pesha amerikane në Tiranë është zbehur.

Tani situata duket se po ndryshon.

Trump ka zgjedhur një gjeneral për Tiranën dhe kjo po interpretohet si rikthim i një pranie shumë më të fortë amerikane në Shqipëri, jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në çështjet e sigurisë, influencës rajonale dhe interesave strategjike në Ballkan.

Nëse konfirmohet nga Senati, Eric Wendt do të jetë ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas largimit të Yuri Kim dhe një nga emrat më të fortë ushtarakë që SHBA ka dërguar ndonjëherë në Tiranë. /Pamfleti

eric wendt ambasador trump

2 Komente

  1. T
    Tony

    Po hajde mor djale, me zorr po te presim, te trazosh ujin e qelbur se na mori frymen.

    1. K
      KUCOVE QYTETI I RI

      Një karrierë e mirë, shumë e nevojshme për "operacionet speciale" që do të vijnë në rajon. Kosova ka rënë viktimë e ndikimit rus dhe na duhet një "barret blu" për të hapur rrugën. A do të shohim vendosje masive trupash në Kuçovë? Duhet ta hap Burger King-un tim atje!

      Lini një Përgjigje