Vijon prej 5 orësh në rezidencën në Dajt mbledhja me dyer të mbyllura e kryeministrit Edi Rama me ministrat, e cila pritet të zgjasë deri në orën 18:00.
Mësohet se në mbledhje është hedhur poshtë mundësia e ndryshimeve surprizë në kabinetin qeveritar.
Mirëpo mund të ketë ndryshime në radhët e drejtuesve politikë të qarqeve, të cilat mund të njoftohen nga Rama në 8 shtator, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS.
Deri më tani në mbledhje është raportuar sa i përket administratës shtetërore me në fokus luftën antikorrupsion.
Për këtë arsye Rama ka bërë pjesë të mbledhjes edhe Fatmir Xhafën, të cilit i është besuar drejtimi i superkomisionit Antikorrupsion.
Po ashtu në nisje është raportuar mbi integrimin, sa i përket jo vetëm negociatave me Brukselin por edhe me Greqinë.
Një pikë tjetër kryesore që do të diskutohet gjatë gjithë ditës në mbledhjen e socialistëve është komunikimi dhe strategjia me të cilën do t'i përqasen medias dhe publikut.
Lini një Përgjigje