Pas SHBA edhe gjermanët të distancuar: Nuk ndërhyjmë për të zgjidhur konfliktin politik...
Ndër të paktat herë në historinë e politikës shqiptare, partnerët ndërkombëtarë kanë vendosur të mos përfshihen në konfliktin e brendshëm politik.
Prej 30-vitesh në Shqipëri ka pasur përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, e ata që i kanë dhënë fund konfliktit kanë qenë ndërkombëtarët, sidomos partnerët amerikanë dhe gjermanë.
Në vitin 2017 ishin ata që negociuan dhe i dhanë fund çadrës së ngritur nga Lulzim Basha. Ata i kanë dhënë disa herë fund bojkotit parlamentar nga opozita. Thirrjet e tyre kanë ulur në tryezë liderët politikë për shumë reforma, madje edhe përmes kërcënimeve.
Por duket se këtë herë situata është ndryshe. Opozita është ndarë në 3-4 grupe dhe kjo i ka vënë në dilemë ndërkombëtarët. Ata nuk duan të mbajnë krah edhe për këtë arsye nuk ndërhyjnë fare.
Që kur Berisha pretendoi se mori kreun e PD, ambasadorët e huaj nuk kanë pasur asnjë takim me përfaqësues të opozitës. I dërguari i SHBA në vendin tonë ka zhvilluar takime me shumë përfaqësues politikë, por jo me ata që pretendojnë se kanë frenat e PD.
Por duket se dhe gjermanët e kanë lënë në baltë opozitën. CDU-ja gjermane është cilësuar gjithmonë si partia më e fortë aleate e PD. Gjermanët e kanë mbështetur historikisht, por këtë herë nuk duan të përzihen.
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ishte i ftuari i radhës në podkastin “Inside Albania” të gazetares Alice Taylor. Ai foli për aktualitetin politik, ku kërkoi një opozitë sa më konstruktive, por e bëri të qartë se ata nuk do të ndërhyrjnë në konfliktin e brendshëm politik.
“Roli i partive, i Parlamentit si kontrollues i Qeverisë është shumë i rëndësishëm. Duam të shohim një opozitë të fortë që mund ta luajë këtë rol dhe të jetë kundërpeshë për Qeverinë. Veçanërisht duhet një opozitë konstruktive, që mund të japë alternativa ndaj qendrimeve të Qeverisë aty ku është e nevojshme, nëse ka probleme të tjera që duhen trajtuar në kuadër të qeverisjes.
Pra, të luajë rol konstruktiv. Kjo është ajo që duam të shohim. Ne si Qeveri gjermane natyrisht nuk do të ndërhyjmë në politikën shqiptare. Ne përkrahim demokracinë dhe duam që qytetarët dhe politikanët shqiptarë të marrin përgjegjësinë. Do të ishte më mirë nëse opozita do të ishte e bashkuar dhe e fortë, që të ishte një kundërpeshë e vërtetë. Mendoj se kjo do të ishte mirë edhe për Qeverinë”, tha Bergner.
Siç duket ndërkombëtarëve u është sosur durimi me këtë situatë. Çdo vit konflikte, kaos dhe tension. Tani politika do të jetë në test nëse do e kalojë këtë situatë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje