TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Dhjetor 2023, 18:52

A do të ketë revolta të hënën para Kuvendit? Policia e Garda në gatishmëri, Berisha mobilizon të gjitha degët e Tiranës

Shkruar nga Pamfleti
A do të ketë revolta të hënën para Kuvendit? Policia e
Berisha gjatë protestave të PD

Berisha kërcënon me mosbindje civile dhe sipas informacioneve, selia e Kuvendit pritet të rrethohet nga Grada dhe punonjës të policisë...

Ditën e hënë duket se do të vendoset fati politik i Sali Berishës. Për 30-vite ai ja ka dalë të jetë i paprekshëm, por miti po bie. SPAK e do Berishën në arrest dhe të hënën pritet që kjo kërkesë të finalizohet.

Në orën 12:00 do të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit, i cili pritet të mbajë seancën mbi kërkesën e SPAK. Por jashtë selisë pritet të kemi një situatë të paprecedentë. Sali Berisha do të mbledhë militantët e tij në një protestë. Protestë, e cila thuhet se bëhet kundër sjelljes së mazhorancës ndaj opozitës, por në fakt duket se ka të bëjë me imunitetin.

Sipas burimeve, deputetët krah Berishës gjatë këtyre ditëve kanë zhvilluar takime nëpër të gjitha degët e Tiranës dhe kanë kërkuar që të mblidhen sa më shumë protestues. Pritet po ashtu që të sillen militantë nga rrethet. Plani është që protesta të zhvillohet te hyrja kryesore e Kuvendit, aty ku pak ditë më parë deputetët kacavirreshin për të hyrë brenda.

Por frika është se situata mund të agravohet. Berisha kërcënon me mosbindje civile dhe sipas informacioneve, selia e Kuvendit pritet të rrethohet nga Grada dhe punonjës të policisë. Mësohet se gjatë gjithë godinës do të ketë kordon policor, teksa në pjesën e brendshme do të jenë në gatishmëri gardistët.

Si në të gjitha protestat, padyshim në gjendje gatishmërie do të jenë dhe forcat speciale dhe autobotët me ujë, pasi mund të ketë tentativa për të çarë kordonin rrethues. Vetë Berisha deri më tani nuk ka mohuar asnjë lloj skenari.

Nga ana tjetër, janë dhënë sinjale se mund të tentohet të prishet edhe mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit. Edmod Spaho tha në një emision se mund të tentohet të futen dhe aty flakadanë. Por sipas burimeve, ditën e hënë, pritet që Garda të lërë të futen në godinë vetëm deputetët që janë pjesë e këtij Këshilli.

Nga ana e PD pjesë e komisionit janë: Gazmet Bardhi, Ervin Salianji, Saimir Korreshi, Greda Bardeli dhe Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit pritet të marrë pjesë, ndërsa për 4 të tjerët do të duhet të shihet nëse do marrin pjesë dhe nëse do të tentojnë prishjen e seancës. Po ashtu mbetet të shihet nëse Berisha do të shkojë aty, pasi Rregullorja i jep të drejtë të shprehet.

Sipas informacioneve, PS do votojë pro autorizimit të SPAK për masë arresti ndaj Berishës dhe më shumë mundësi mund të caktohet një seancë e posaçme të martën ose të mërkurën, duke i hapur rrugë prokurorisë të veprojë ndaj ish-kryeministrit. /Pamfleti

Lini një Përgjigje