TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Dhjetor 2023, 17:37

“Jemi në një moment që s’ka kthim”, Berisha ashpërson tonet: Do ngrihemi në mosbindje civile dhe do të rrëzojmë diktaturën!

Shkruar nga Pamfleti

“Jemi në një moment që s’ka kthim”, Berisha

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka kërcënuar sërish me përshkallëzim të mosbindjes civile, gjatë një takimi që zhvilloi pasditen e sotme me anëtarë dhe simpatizantë në qytetin e Gjirokastrës.

Berisha deklaroi se Rithemelimi do të ngrihet në një mosbindje civile dhe do të rrëzojë regjimin e kryeministrit Rama. Ish-kryeministri theksoi se opozita duhet të bëjë gjithçka për destabilizimin e asaj që ai e quajti diktaturë e bandave dhe krimit.

Kthesa që kërkohet nga ne, nga çdo demokrat dhe demokrate, ka të bëjë me misionin e ri që duhet të marrë përsiper PD, të përmbysë me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, atë që erdhi me termin rilindje në vitin 2013 dhe u vërtetua si një revansh primitiv hakmarrës ndaj demokracisë dhe përfundoi në një diktaturë bande, në një diktaturë krimi, në një diktaturë të shpërbërjes së arritjeve tona.

Sot, ne mblidhemi këtu në një moment kur Shqipëria sundohet nga një regjim, në të cilin krimi me lidhjet e tij gjer te kryeministri, në të cilin kartelet e drogës, nga Sinaloa e Meksikës, e udhëhequr nga dy shqiptarë, tek ato të Kolumbisë, Ekuadorit dhe Shqipërisë, kanë lidhje me zyrën e kryeministrit. Mblidhemi në një kohë kur krimi dhe bandat kanë caktuar ministër të rendit, eksponentin kryesor të tyre.

Mblidhemi sot në një moment kur krimi vendos kudo, jo vetëm me këto lidhje, por edhe me grykën e revoles, në rrugë dhe në qelitë e burgjeve me sigurinë më të lartë.

Mblidhemi sot në një regjim të diktaturës së bandave, i cili tre muaj, pesë muaj para zgjedhjeve, liron nga burgjet vrasësit serialë, sjell nga Dubai dhe vendet e tjera, trafikantët më të rrezikshëm për t’i vërsulur kundër votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.

Mblidhemi pra në një regjim, në të cilin krimi shndërrohet në votë dhe vota shndërrohet në krim. A nuk u themeluam ne si parti e votës së lirë? Ne sollëm votën e lirë në Shqipëri, ne i përzumë me votën e lirë ata që erdhën me armë dhe rebelim komunist në vitin 1997!

...

Ne jemi parti e misioneve të mëdha. Ne do ngrihemi në një mosbindje civile dhe do të rrëzojmë këtë armik të egër, që dallon aq sa dallojnë dy pika ujë në raport me votën, me dajën e tij xhelat të inteligjencës së diktaturës, Spiro Koleka. Dallon në këtë aspekt me të atin xhelat që firmoste varjen në litar të disidentit. Pra, këtë betejë e kemi betejë për ekzistencën e demokracisë. Këtë betejë e kemi betejë për lirinë e votës. Detyrimin tonë për të garantuar votë të lirë për shqiptarët”, tha ndër të tjera Berisha.

berisha diktatura

Lini një Përgjigje