
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve në vend, duke akuzuar qeverinë se po përfiton nga situata e krizës, ndërsa qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike në rritje.
Sipas saj, çmimi i naftës që ka arritur në 218 lekë për litër nuk mund të justifikohet vetëm nga zhvillimet ndërkombëtare. Xhixho kritikoi gjithashtu mungesën e politikave konkrete në mbështetje të qytetarëve, duke e cilësuar komunikimin e qeverisë si të pambështetur në masa reale.
Në reagimin e saj, ajo u shpreh se një kryeministër që e justifikon rritjen e çmimeve vetëm me faktorë të jashtëm po shmang përgjegjësinë, ndërsa në vend të ndërhyrjeve konkrete, sipas saj, ofrohet vetëm “propagandë boshe”.
Deputetja theksoi se rritja e çmimeve ka krijuar një efekt zinxhir në ekonomi, duke prekur drejtpërdrejt familjet shqiptare. Ajo shtoi se, sipas vlerësimeve të saj, çmimet e produkteve ushqimore janë rritur deri në 50% brenda një periudhe të shkurtër kohore.
"Qeveria po pasurohet në këtë krizë, ndërkohë qytetarët po varfërohen. Kjo është e vërteta!
Një kryeministër që lejon rritjen e çmimit të naftës në 218 lekë për litër dhe më pas del e u thotë shqiptarëve që kjo është pasojë e luftës është një kryeministër që ka hequr dorë nga përgjegjësia.
Në vend që të dalë para qytetarëve për të njoftuar masa konkrete në mbështetje të tyre, bën propagandë boshe. Efekti zinxhir po godet çdo familje shqiptare: çmimet e ushqimeve janë rritur deri në 50% brenda pak ditësh dhe mund të rriten edhe më tej.
Justifikimi me “ekonominë e tregut” , por e vërteta është se kjo nuk është më ekonomi tregu. Kjo është një ekonomi e deformuar nga taksat e larta, mungesa e konkurrencës dhe një sistem klientelist që nuk i shërben qytetarëve.
60% e çmimit të naftës janë taksa. Zgjidhja është vetëm ULJA e TAKSAVE që do të ulë çmimin e naftës dhe rrjedhimisht edhe të mallrave dhe shërbimeve.
Boll më me propagandë, por ul taksat dhe merr masa me paketa mbështetëse për qytetarët siç kanë bërë vendet e rajonit.", shkruan Xhixho.
Lini një Përgjigje