TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Mars 2026, 14:23

Komisioni i Fatmir Xhafës kërkon edhe 1 milion euro, pas 500 mijë eurove për 91 “ekspertë”

Shkruar nga Pamfleti
Komisioni i Fatmir Xhafës kërkon edhe 1 milion euro, pas 500 mijë
Fatmir Xhafaj /

Mazhoranca i ndryshoi emrin komisionit pas zgjedhjeve, por jo funksionin. Tani në qendër të debatit qëndron fondi i ri për vitin 2026, pagesat për ekspertët dhe mungesa e transparencës për punën e tyre...

Pas 500 mijë eurove të akorduara për vitin 2025, komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj kërkon edhe 1 milion euro për vitin 2026. Burime të mbërritura në redaksi ngrenë pikëpyetje për përzgjedhjen e ekspertëve, lidhjet e tyre politike dhe mungesën e dokumenteve publike mbi produktin e punës së paguar nga Kuvendi.

Pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, mazhoranca ndryshoi emrin dhe kohëzgjatjen e komisionit të njohur publikisht si komisioni “Xhafaj”. Ajo e hoqi formulën e mëparshme, Komision i Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, dhe e zëvendësoi me një emërtim të ri, Komisioni i Përhershëm Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Nismat Institucionale.

Emri ndryshoi, por dyshimet politike mbi funksionin real të kësaj strukture mbetën të njëjta. Kritika kryesore lidhet me idenë se mazhoranca kërkon ta mbajë nën presion sistemin e drejtësisë së re, sidomos SPAK-un, përmes një komisioni që prodhon ndërhyrje politike nën mbulesën e reformës.

Në krye të kësaj strukture qëndron Fatmir Xhafaj. Opozitarët dhe kritikët e kësaj nisme e shohin atë si figurën politike që PS ka vendosur për të mbajtur nën mbikëqyrje dhe presion institucionet e posaçme të drejtësisë.

Por debati nuk ndalet te roli politik i komisionit. Ai shkon edhe te paratë.

Një informacion i mbërritur në redaksinë e “Pamfleti” thotë se më 23 mars 2026, Niko Peleshi i ka kërkuar Ministrit të Financave, Petrit Malaj, shtimin me 1 milion euro të buxhetit të Kryesisë së Kuvendit për vitin 2026, me qëllim financimin e aktivitetit të këtij komisioni.

Sipas të njëjtit informacion, kërkesa ka ardhur pas një kërkese të bërë nga Fatmir Xhafaj, i cili e ka paraqitur fondin si nevojë emergjente për pagesën e ekspertëve gjatë vitit 2026, me argumentin se komisioni duhet të vazhdojë aktivitetin dhe të rrisë performancën.

Ky fond i ri vjen pas një tjetër shume të konsiderueshme. Për vitin 2025, sipas materialit, janë akorduar 500 mijë euro për pagesën e 91 ekspertëve të përzgjedhur nga komisioni. Pikërisht këtu nis edhe pika më e fortë e dyshimeve. Sipas burimeve që citojnë listën emërore, pjesë e ekspertizës së paguar me para publike janë njerëz të afërt me pushtetin, familjarë të figurave politike dhe individë të lidhur me qarqe të njohura ndikimi në vend.

Nëse kjo listë rezulton e saktë, atëherë çështja nuk lidhet më vetëm me fondin, por me mënyrën si Kuvendi përdor paratë publike për të ndërtuar një rrjet ekspertësh politikisht të afërt me shumicën. Kjo e kthen komisionin nga instrument parlamentar në instrument favorizimesh.

Kuvendi mund të paguajë ekspertë. Ligji ia njeh këtë të drejtë. Por Kuvendi duhet të provojë edhe një gjë tjetër, çfarë pune konkrete kanë bërë këta ekspertë, çfarë produkti kanë dorëzuar, cilat raporte kanë hartuar, çfarë rekomandimesh kanë prodhuar dhe ku gjenden dokumentet e punës së tyre.

Pikërisht këtu lind problemi më i madh. Sipas informacionit të mbërritur në redaksi, nuk ka transparencë të plotë për produktin konkret të punës së këtyre ekspertëve gjatë vitit 2025. Nëse ata do të paguhen edhe më shumë në vitin 2026, atëherë opinioni publik ka të drejtë të dijë se për çfarë po paguan.

Gjatë vitit 2025, komisioni ndërmori disa lëvizje politike dhe institucionale ndaj strukturave të drejtësisë së re. Kritika publike u përqendrua te tentativa për të ushtruar kontroll politik mbi institucione që, sipas Kushtetutës dhe ligjit, duhet të funksionojnë të pavarura nga shumica parlamentare.

Në këtë kuadër, fondi prej 1 milion eurosh për vitin 2026 nuk duket si një shpenzim rutinë. Ai duket si zgjerim i një mekanizmi që kërkon më shumë para, më shumë njerëz dhe më shumë ndikim, ndërkohë që publiku vazhdon të mos shohë rezultatet konkrete të kësaj skeme ekspertësh.

Mazhoranca ia ndryshoi emrin komisionit. Por paratë, ndikimi dhe dyshimet mbetën. Dhe pyetja që kërkon përgjigje është e thjeshtë, pse i duhen edhe 1 milion euro një komisioni që ende nuk ka provuar publikisht se çfarë ka prodhuar me 500 mijë eurot e para?/Pamfleti

komisioni i fatmir xhafës 1 milionë euro 91 ekspertë

4 Komente

  1. R
    Romeo juristi i njohur

    Fatmiri është hajdut, I duhen edhe ky milion që të behen miliarder.

    1. H
      Hassan Hyseni

      Care interesi ka populli nga Ky komisioni qe po pager nga populli nder me Te varferit ne bote . Ket Pathan nga populli dhe duhet Te bejne transparency Te plate Te activities dhe perfitimeve Te popullit nga Ky komisioni. Ky komisioni. Ne se duhet , duhet Te jete I showered civile per ti sherbyer popullit , ne fact ky I sherben as ps po vetem Rames prandaj kryetarit ka but deputetin me Te diskutushem nga opozita . Po keshtu dhe ndryshimet ligjore Te kushtetuten dhe ligji qe po premature Rama per referendum’s , I Celine vetem Rames per Te force pushtetin autokrati dhe ti shaman get drejtesise per vjedhjet dhjetra Millard’s euro qe I ka be popullit nder me Te varferit e botes . Ligji per referendums duhet be qe populli Te beje referendums qe Te dethrone qevetine Te battle Deshawn e popullit per problems shqetesuese per Te Te krijuRa nga keqqeverisja . Qeveria duhet Te jete men controlling e popullit dhe jo Te Banda e kriminale e karteleve Te droges .

      1. A
        Artan

        Kontrolloni Edit Shkreli “eksperte” nga US. Ka patur emrin e lindjes Edita Shkreli. Kontrolloni pasurite e te jemes se saj ne Shqiperi me dhjetera apartamente te Elida Shkreli dhe ne emer te djalit te saj ose femijeve. Kujt para pastrohen?? Sa jane blere me leke ne dore?? Si kaloi qindra mijera dollare nga Amerika? Eshte e pamundur.

        1. T
          Tironci

          Keta ndyresira gjejne lloj lloj menyrash te paguhen e pasurohen pa hesap. Cfare eshte ky komision qe drejton ky hajdut? Reforma ne drejtesi u votua ne parlament dhe u drejtua e kontrollua nga eksperte amerikane e evropiane qe dhe e financuan ne fillim e ndoshta dhe e financojne tani akoma. Komision leshi qe keta ti faturojne kohe gjoja te shpenzuar per konsulenca. Tipike korruptive e kriminale. Pastaj themi pse nuk na pranojne be Evrope. Si mund te pranohemi ne keta mafioze?

          Lini një Përgjigje