Drejtuesja e grupit të këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, akademikja Doris Madhi, ka denoncuar publikisht përjashtimin e saj nga lista e anëtarësisë së Partisë Demokratike në këtë degë, duke ngritur akuza të forta për manipulim të procesit zgjedhor.
Në një deklaratë për mediat, Madhi bëri me dije se emri i saj nuk figuron në listat e anëtarësisë, ndonëse është pjesë e PD-së prej afro tetë vitesh dhe një nga zërat më aktivë në strukturat lokale.
Ajo theksoi se vendimi për pezullimin e anëtarësisë i është komunikuar jashtë çdo afati ligjor dhe pa respektuar procedurat statutore, duke e cilësuar procesin si tërësisht të parregullt.
Madhi ka drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Blendi Himçi, të cilin e konsideron përgjegjës për situatën në degën e Elbasanit. Sipas saj, ai po ndërhyn në mënyrë të padrejtë në procesin zgjedhor për interesa personale dhe politike.
“Vendimet merren në mënyrë arbitrare dhe jashtë çdo rregulli. Ky proces nuk është më demokratik,” u shpreh Madhi, duke shtuar se janë përjashtuar edhe figura të tjera nga strukturat e partisë.
Ajo argumentoi gjithashtu se procedura për përjashtimin e një anëtari duhet të respektojë afate të qarta, sipas statutit të PD-së, gjë që sipas saj nuk ka ndodhur në këtë rast.
Deri në këtë moment, nuk ka një reagim zyrtar nga deputeti Blendi Himçi apo strukturat qendrore të Partisë Demokratike lidhur me këto akuza.
Situata në degën e PD-së në Elbasan duket se po shoqërohet me tensione të brendshme, ndërsa procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri mbetet i kontestuar.
Ditën e sotme prej orës 08:00 ka nisur votimi për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Elbasan.
Procesi i votimit po zhvillohet në selinë e PD në Elbasan ku anëtarët e Partisë Demokratike do të mund të votojnë deri në orën 18:00.
Në garë për drejtimin e degës së PD Elbasan janë 5 kandidatë.
Lini një Përgjigje