PS ndërkohë rrëzoi propozimet e opozitës për faljen e faturave të dritave dhe ujit.
Kuvendi ka votuar pas mesnate anulimin e gjobave për ndërtimet pa leje të marra nga qytetarët prej vitit 2014, një 'karamele zgjedhore' kjo për elektoratin para 11 Majit kur do të shkojnë në kutitë e votimit.
Pas një seance maratonë që nisi në orën 10 të mëngjesit dhe u mbyll rreth orës 12 pas mesnate, shumica dhe opozita bashkuan votat mes tyre për votimin në parim të draftit të ardhur nga qeveria.
Vota kundër e PS-së për dy amendamentet e demokratëve, bëri që këta të fundit të mos merrnin pjesë në votimin në tërësi të draftit, i cili u kalua me 73 votat e shumicës.

Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh se ligji shfuqizon gjobat e vendosura nga 1 janari 2015- 30 nëntor 2024.
Ky projektligj ka marrë vota edhe nga ana e opozitës, të cilët kanë bashkuar votat me shumicën socialiste, me disa emra surprizë që votuan pro.
Ndërkohë PS rrëzoi amendamentet e PD-së për zgjerimin rrethit dhe faljen e gjobave të energjisë, ujit, tatimeve dhe policisë.
Deputetët e opozitës që dhanë votën pro për faljen e gjobave:
Bujar Leskaj
Jorida Tabaku
Elda Hoti
Albana Vokshi
Flamur Noka
Dashnor Sula
Asllan Dogjani
Ilda Dhori
Zheni Gjergji
Çfarë parashikon projekltigji për anulimin e masave administrative?
Qeveria do të falë gjobat e vendosura nga 1 janari 2015 në nëntor 2024. Përfitues janë ata që janë gjobitur për ndërtim të paligjshëm për strehim individual, në qytet ose në fshat dhe që janë vendosur nga IKMT, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.
Edhe gjobat që ka vendosur AKU në subjektet agro-përpunuese në zonat rurale do të falen dhe po ashtu edhe gjobat e vendosura nga Inspektorati Shëndetësor për masat anti-Covid. Ky ligj nuk lejohet të hyjë në fuqi pas 11 janarit, kur qeveria vendoset në kufizime për të mos joshur elektoratin pranë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025.
Kush përfiton?
-Të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.
-Të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale
-Të gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë/ Pamfleti
Lini një Përgjigje