Ilir Meta duket se i druhet një tjetër skenari që synon asgjësimin e Partisë së Lirisë...
Ilir Meta duket se nuk është i bindur për bashkëpunimin me Sali Berishën. Edhe pse në vitin 2009 vendosi të ishte në qeveri me të, Meta duket se i druhet një tjetër skenari për ta asgjësuar, si ai i vitit 2008 me ndryshimet Kushtetuese, apo si ai i Bashës 2 vite më parë kur e nxori LSI me “këpucë të kuqe”.
Meta ishte sot i ftuar në një intervistë dhe u pyet nga moderatorja nëse është gati që në zgjedhjet e 2025 të hyjë në krah të Berishës duke synuar që të jenë bashkë në qeveri. Mirëpo Meta nuk e konfirmoi dhe madje dha sinjale se nuk i zë besë Berishës. Ai tha se kërkon bashkëpunim të sinqertë, teksa ngriti dyshime për marrëveshje të fshehta me Ramën.
“Është e qartë se investimi i Ramës ka qenë ndarja dhe korruptimi i opozitës. Problem i tij ka qenë raporti i LSI me PD apo sot raporti i PL me PD dhe përdor njerëzit e tij që i korrupton me tenderë për të artikuluar ato teza që ushqen në mënyrë të vazhdueshme. Për ne është e rëndësishme që kemi pozicion të qartë se jemi në opozitë me këtë qeveri. Jemi të ndërgjegjshëm se duhet bashkëpunim sa më i sinqertë me të gjithë aktorët. Ne e kemi bërë me ata që kemi pasur dhe do e bëjmë. Por ne mbetemi adresa e sigurt për ata që ndajnë bindjen me ne që ky është një regjim me të cilin çdo lloj kompromisi apo marrëveshje e heshtur është një krim sa i takon interesit publik”, tha Meta.
Nga ana tjetër, ai duket se la në baltë Berishën edhe sa i takon protestave. Ish-kryeministri ka premtuar tubime, por Meta kur u pyet nëse e mbështet këtë gjë, vijoi retorikën se duhet bashkëpunim për të nxitur llogaridhënien te qeveria.
“Është e rëndësishme të kemi një bashkëpunim sa ma efektiv sa më dinamik dhe efektiv që të arrijmë rezultate sa më pozitive në interes të qytetarëve dhe interes të vendosje së llogaridhënies te politika”, tha ai.
Pak ditë më parë ishte Berisha që deri diku konfirmoi se do të jetë në krah të Ilir Metës dhe në zgjedhjet që vijnë. Por duket se kreu i PL nuk ja ka më besën. /Pamfleti
Lini një Përgjigje