
Kryetari i Partisë Demokratike nuk i kurseu përsëri akuzat ditën e sotme ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe kreut të saj Altin Dumani.
Ish-kryeministri prej një viti nën akuzë dhe i pandehur për skandalin në aferën e dosjes "Partizani", për të cilën qëndroi po kaq kohë nën arrest shtëpiak, deklaroi se "SKAPI i partisë është organizatë kriminale dhe Dumani mercenar i saj".
Ai trajtoi me akuza edhe çështjen e rrogës së Dumanit, duke thënë se kreu i SPAK merr 100 mln lekë në vit.
"Rroga e Altin Dumanit 100 milionë. Kjo është shuma që ai merr në vit. S’është pak të paguash një njeri 100 mln. Një njeri që fle mbi dosje krimi, një kriminel që amniston krimin elektoral, që është krim kushtetues. 1035 qytetarë të hetuar, tha Dumani. Por ta krahasosh me vitin 2008 janë mbi 1400 të hetuar në vit, me një të shtatën e shpenzimeve të sotme, me fakte, piramida më e shëmtuar e korrupsionit ndonjëherë. Do përmbushim mision dhe qytetarët do kenë të drejtën të gëzojnë procesin e duhur”, tha ai.
Berisha kërkoi proces vlerësimi dhe tha se do publikonte prova për amnistinë e krimeve elektorale nga prokurorët e SPAK, që tha se i kishte me emra dhe se Vettingu u përdor për diktaturë.
“Dokumenti i gjyqtarëve europianë tregon se u përdor vettingu për të kaluar nga demokracia në diktaturë, për të rekrutuar një grup mercenarësh për të amnistuar krimin elektoral. I denoncuar më parë me dosjet e mëparshme nga media botërore. Sidomos dosja “Metamorfoza”, ku krimi më i shëmtuar është ai elektoral. Ai është mercenar dhe fanatik i partisë së krimit”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu ai u shpreh edhe kundër zgjatjes së mandatit të prokurorëve të SPAK dhe veçanërisht Dumanit, duke kundërshtuar propozimin dhe deklaratën e zëvendësndihmës sekretarit amerikan për Ballkanin perëndimor, Alexandër Kasanof.
“Një që zbaton ligjin mund të garojë për 5 mandate, por kriminelët, anëtarët e organizatës kriminale të Skapit duhet të jenë në burg. Nuk i njoh të gjithë, por ata që kam emrat e tyre, me në krye Dumanin, ata meritojnë vetëm burgun. Por Dumani kërkon tjetër gjë, zgjatjen, t’i bëhet për 18 vite, por kjo s’mund të ndodhë kurrë. Por ai që zbaton ligjin s’ka asnjë arsye të dalë nga sistemi. Do bëhet proces për ata që flen mbi dosjet e krimit dhe ka bashkëpunuar e fle mbi dosjen e krimit. Do bëjmë publike dosje për amnistinë elektorale të SPAK e Dumanit”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje