
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni e ka quajtur marrëveshjen e emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë si historike.
Në një postim në rrjetet sociale ajo ka mbajtur qëndrim për memorandumin e bashkëpunimit për emigracionin, e cila shkruan se “Askush nuk mund të flasë për deportim”.
“Është një marrëveshje që për ne është historike dhe sepse mund të bëhet model për kombet e tjera, të bashkëpunimit mes vendeve të BE-së dhe vendeve të treta. Ata që nuk janë dakord mund të thonë çfarë të duan, por nuk mendoj se dikush mund të pretendojë se ne synojmë të dëbojmë dikë”, është shprehur kryeministrja Meloni.
Në intervistën e saj, pak ditë më parë, në gazetën Il Messaggero, Meloni i ishte referuar nënshkrimit të një protokolli me homologun e saj shqiptar Edi Rama, në bazë të të cilit do të krijohen dy qendra të mbyllura për qëndrimin e emigrantëve të parregullt në Shqipëri, në shpenzimet dhe menaxhimi i Italisë.
“Kjo është një marrëveshje që forcon partneritetin strategjik me Shqipërinë dhe vendos tre synime: luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, parandalimin e flukseve të parregullta migratore dhe mundësinë për të mirëpritur, në Evropë, vetëm ata që kanë të drejtën e vërtetë të mbrojtjes ndërkombëtare”, theksoi Presidentja e Këshillit të Ministrave.
Meloni shpjegoi në të njëjtën kohë se kjo marrëveshje ka të bëjë vetëm me emigrantët që shpëtohen ndërsa ndodhen në det dhe se do të krijohen dy qendra në veri të Shqipërisë, konkretisht në Shëngjin dhe Gjadër.
“Ne e kemi informuar Komisionin Evropian pa asnjë problem. Besoj, përkundrazi, se protokolli specifik mund të kthehet në një model bashkëpunimi midis vendeve të BE-së dhe shteteve që nuk janë anëtare të Unionit, në drejtim të menaxhimit të flukseve migratore”, shtoi Meloni.
Sipas saj “kjo është një marrëveshje e bazuar në një frymë të fortë europiane”, ndërsa thekson se “është e rëndësishme të nënvizohet se, pavarësisht se Tirana nuk është ende anëtare e BE-së, ajo sillet sikur ishin në Union, me zgjedhje që përputhen plotësisht me parimet e solidaritetit dhe bashkëpunimit, të cilat përbëjnë bazën e familjes evropiane”.
Së fundmi, Meloni tha për Il Messaggero se “kjo është një marrëveshje e ardhur nga një konstatim i përbashkët me kryeministrin shqiptar Rama. Kjo do të thotë se imigracioni masiv i parregullt është një fenomen me të cilin vendet anëtare të BE-së nuk mund të përballen të vetme dhe se bashkëpunimi me vendet jo anëtare të BE-së mund të jetë i një rëndësie vendimtare”.
Lini një Përgjigje