Nga akuzat për Olsi Ramën, te arrestimi i Goros, dosja 184 dhe skandali McGonigal, mediat greke “telendisin” Ramën...
Dënimi i Fredi Belerit duket se ka prishur raportet e Ramës me grekët. Ashtu si qeveria edhe mediat janë hedhur në sulm ndaj kryeministrit shqiptar.
Padyshim, arrestimi i Jorgo Goros dhe akuzat ndaj vëllait të tij nuk u kanë shpëtuar mediave greke. Në shumë portale ka qarkulluar një shkrim i Vassilis Galoupis, i cili sulmon shumë fort kryeministrin. Sipas tij, ngjarjet e fundit tregojnë se Rama ka krijuar një narkoshtet.
“Mediat shqiptare raportuan se vëllai i tij Olsi Rama dyshohet se është i përfshirë në një rrjet të madh trafiku droge. Konkretisht, sipas aktakuzës, ai është një nga anëtarët e grupit që kishte ngritur fabrikën e prodhimit të kokainës në zonën e Xibrakës, 68 kilometra në jug të Tiranës.
Zbulimi është bërë nga Gazmet Barti, kryetari i gripit parlamentar të Partisë Demokratike, i cili i ka përcjellë zyrtarisht SPAK kërkesën për hetimin e Olsi Ramës. SPAK është pjesëe Gjykatës Speciale, që shpalli fajtor kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Freddy Beleris në mënyrë të paligjshme dhe e dënoi me dy vite burg”, thekson artikulli.
Më tej përmendet Alex Soros. Sipas artikullit, djali i manjatit George Soros dhe shefi i ri i fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, është një admirues i Ramës: “Nga liderët e mëdhenj të botës”, ai e hyjnizoi atë në vitin 2023, duke e quajtur “vëlla”. Shqipëria është “një aleat i madh dhe një nga vendet më pro-amerikane në botë falë lidershipit të Edi Ramës”, shkruan djali i Soros.
Më tej përmenden akuzat për dosjen 184, kur Rama doli në përgjimet e publikuara nga Bild dhe po ashtu rasti “McGonigal”.
“Fëmija i përkëdhelur i Uashingtonit u përfshi gjithashtu në skandalin ‘McGonigal’ në shkurt 2023. Agjenti kryesor i FBI-së po i shiste shërbimet e tij jashtë shtetit. Ndërsa ishte ende në FBI, ai zhvilloi një marrëdhënie me Edi Ramën dhe ndërmori hapa në dobi të kryeministrit shqiptar, sipas prokurorëve në Uashington. Edhe atëherë, pak ditë pas skandalit, në mars 2023, Mitsotakis nxitoi t'i ofrojë shërbim Edi Ramës. Ministria e Jashtme greke organizoi një ekspozitë me pikturat dhe skulpturat e Ramës në Zappeion. Mitsotakis, pasi vizitoi solemnisht ekspozitën e krijimeve artistike mahnitëse të Ramës, më pas shtroi një darkë për të në Maximos”, thuhet aty.
Padyshim në shkrim përmendet arrestimi i Belerit. Sipas tyre, me arrestimin e Jorgo Goros u dëshmua qartë se gjithçka bëhet për përvetësimin e pronave në bregdet. Por nuk ka mbetur pas as pakti me dhëndrin e Donald Trump.
“Megjithatë, prirja e madhe e Ramës nuk është art. Është përfshirja në marrëveshje të mëdha biznesi. Në mars u mësua se ai ishte afër përfundimit të marrëveshjeve me dhëndrin e Trump, Kushner, për hotele luksoze dhe vila pushimi në gadishullin e Zvërnecit, një zonë bregdetare prej 1000 hektarësh në jug të Shqipërisë, si dhe transformimin e një ishulli. Të gjitha këto do të ndërtohen në toka të kontrolluara nga qeveria shqiptare”, thuhet më tej.
Lini një Përgjigje