TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Shkurt 2026, 13:15

McAllister mesazh politikës: Mazhoranca të krijojë hapësira, opozita të jetë më bashkëpunuese

Shkruar nga Pamfleti
McAllister mesazh politikës: Mazhoranca të krijojë hapësira,
David McAllister

Komisioni për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian zhvilloi diskutimin mbi draft-raportin për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Komisionit, David McAllister, u ndal te zhvillimet e fundit në vend, ecuria e reformave dhe roli i forcave politike në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ai theksoi se Shqipëria ka hapur të gjitha kapitujt e negociatave dhe ndodhet në pritje të raportit të radhës, ndërsa nënvizoi se procesi i anëtarësimit vlerësohet në mënyrë individuale për secilin vend.

“Shqipëria i ka hapur të gjitha kapitujt dhe është në pritje të raportit. Shqipëria duhet të vazhdojë edhe më tej të punojë për të shkuar përpara në procesin e avancimit. Çdo vend ecën në mënyrë individuale në këtë proces. Duhet parë ndryshimi i madh për qytetarët”, u shpreh McAllister.

Ai vlerësoi se të gjitha forcat politike në Shqipëri kanë treguar interes për integrimin europian, duke theksuar rëndësinë e dialogut politik.

David McAllister kishte një mesazh edhe për Berishën teksa theksoi se protestat e dhunshme të PD, nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike.

“Inkurajojmë dialogun politik; është me rëndësi që edhe mazhoranca të krijojë hapësira për opozitën dhe opozita të bëhet më bashkëpunuese në interes të popullit dhe të demokracisë. Ne kemi parë progres në Shqipëri. Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike”, deklaroi ai, duke iu referuar edhe vizitave të fundit të përfaqësuesve europianë në vend.

Diskutimi në Komisionin e Jashtëm paraprin miratimin e raportit përfundimtar, i cili do të pasqyrojë vlerësimin e Parlamentit Europian mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Lini një Përgjigje