
Kuvendi ka miratuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet. Edhe opozita dha votën e saj, pasi pakti kaloi me 92 vota pro.
Po ashtu me 92 vota kaloi dhe marrëveshje e re me Interpol.
Gjithashtu Kuvendi me 68 vota pro dhe 21 kundër miratoi projektligjin për privatizimin e pronës shtetërore.
Sa i takon paktit me Italinë, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 qershor.
Ministri tha se janë mbi 500 mijë shtetas shqiptar në Itali që janë përfitues të skemës ndërsa në Shqipëri 4 mijë italianë
“Të gjitha kontributet dhe ngjarjet në jetën tonë akumulohen dhe në rast se një person është në Itali dhe ka përfituar një pension të caktuar për shkak të viteve atje, por ka edhe disa vite në Shqipëri për të cilat nuk është i kualifikuar për të marrë pension, nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi i takon e drejta të marrë edhe pensionin për vitet në Shqipëri. Nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi, këto vite kthehen në një të drejtë pensioni për të, por natyrisht në masën që i takon nga kontributet në Shqipëri. Qytetarët nuk mund të kërkojnë lekë për vitet para se të hynte marrëveshja në fuqi, por nga dita që marrëveshja hyn në fuqi pensioni i tyre rritet bazuar në këtë riformulim”, tha Gonxhja.
Lidhur me ligjin për pronat shtetërore, synohet që ato të shkëmbehen me prona private. Sipas opozitës plani është që të përfitojnë oligarkët.
“Ju kërkoj ta tërhiqni këtë pr.ligj, është antikushtetues, i porositur që do të marrë edhe ato pak prona shtetërore që i kanë mbetur shtetit, pronat shtetërore do i jepen privatit për kulla. Vetëm kryeministria do mbetet nesër se atë nuk e lëshon, çdo godinë shtetërore do i jepet privatit”, tha deputetja demokrate Dhurata Çupi.
Lini një Përgjigje