
Nuk ka pasur asnjë surprizë. Lulzim Basha është zgjedhur kryetari i ri i PD, mes polemikave dhe përplasjeve.
Sot u mbajtën zgjedhjet për kryetarin e PD dhe sipas të dhënave pas numërimit, rezulton se kanë marrë pjesë në votim 18052 anëtarë nga 25 mijë në total. Lulzim Basha ka marrë 16196 vota dhe Gjergji Hani 1657 vota.
Ishte kryetari i Komisioni Elektoral i PD-së, Jemin Gjana, ai i cili publikoi rezultatet e këtij votimi. “Rezulton se kanë marrë pjesë në votime 18052 anëtarë të PD-së, pra rreth 71 %. Nga 18052 anëtarë që kanë marrë pjesë në votim, në kutitë e votimit janë gjetur 18052 fletë votimit, të pavlefshme janë gjetur 199. 17853 janë vota të vlefshme, nga të cilat Lulzim Basha ka marrë 16196 vota dhe Gjergji Hani 1657 vota. Në bazë të këtyre të dhënave, Komisioni elektoral i PD-së deklaron fitues të zgjedhjeve zotin Lulzim Basha, i cili shpallet kryetar i Partisë Demkokratike”, u shpreh Gjana.
Në këto zgjedhje u konfigurua dhe grupi i Bashës, ku janë 8 deputetë pas tij. Këta emra morën sot pjesë në votime. Ata janë: Kreshnik Çollaku, Eralda Bano, Merita Bakiu, Flutura Açka, Orjola Pampuri, Arbi Agalliu, Enkelejd Alibeaj dhe Selaudin Jakupllari. Të gjithë deputetët e tjerë të PD, përfshirë Gazment Bardhin apo Jorida Tabakun, e kanë bojkotuar këtë proces.
Mbajtja e zgjedhjeve vjen në një moment të vështirë për PD. Partia është ndarë në disa grupe dhe bashkimi i saj duket i pamundur. Në një krah është Berisha, në krahun tjetër Basha dhe përballë të dyve Bardhi me disa deputetë. Vetë Bardhi ka kundërshtuar rikthimin e Bashës. Ai mblodhi online disa anëtarë të Këshillit Kombëtar duke njoftuar se zgjedhjet u anuluan, por askush nuk e mori për bazë. Sot zgjedhjet u mbajtën dhe rreth orës 21.00 pritet që të dalë rezultati. Me shumë mundësi Basha është fituese me rezultat të thellë dhe tani pritet që PD të hyjë në një kurs të ri përplasje.
Lini një Përgjigje