Lulzim Basha pritet të rikthehet si kryetar i PD. Sot u mbajtën zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë më të madhe opozitare, proces i cili ka trazuar edhe një herë ujerat brenda partisë.
Në të gjitha degët është votuar për Lulzim Bashën dhe Gjergji Hanin, ndërsa pjesëmarrja ka qenë relativisht e ulët. Vetë komisioni zgjedhor rrudhi numrin e anëtarëve me të drejtë vote në afro 25 mijë. Ndërkohë deri në orën 17.00 kanë votuar afro 14 mijë persona.
Vetë kreu i komisionit zgjedhor Jemin Gjana ishte ai i cili njoftoi mbylljen e votimit në orën 19.00. “Bazuar në të dhënat operative deri në orën 17.00, pasi pas kësaj ore nisur dhe nga një rritje e fluksit, shifra është diku te 13.700 votues. Ka qenë ditë e qetë. Unë dhe disa anëtarë të komisionit kemi zbritur në terren. Unë kam qenë në Elbasan, Belsh, Kuçovë, Berat. Ka qenë ditë e qetë. Presim një rezultat më të mirë se orë 17.00 sepse kemi të dhëna që ka pasur fluks.
Nga të dhënat që kemi nga informacionet dhe ato që unë pashë në qendrat që inspektova, ka pasur fluks individësh që kanë votuar dhe janë një listë të veçantë që u janë mbajtur të dhënat e kartave të identitetit. Ka pasur të dhëna që simpatizanët paraqiten për të votuar, por nuk është lejuar kush pa kartë identiteti”, tha Gjana.
Mbajtja e zgjedhjeve vjen në një moment të vështirë për PD. Partia është ndarë në disa grupe dhe bashkimi i saj duket i pamundur. Në një krah është Berisha, në krahun tjetër Basha dhe përballë të dyve Bardhi me disa deputetë. Vetë Bardhi ka kundërshtuar rikthimin e Bashës. Ai mblodhi online disa anëtarë të Këshillit Kombëtar duke njoftuar se zgjedhjet u anuluan, por askush nuk e mori për bazë. Sot zgjedhjet u mbajtën dhe rreth orës 21.00 pritet që të dalë rezultati. Me shumë mundësi Basha është fituese me rezultat të thellë dhe tani pritet që PD të hyjë në një kurs të ri përplasje.
Lini një Përgjigje