
Ish-Presidenti Ilir Meta në një telefonatë nga burgu ka folur lidhur me hetimet e SPAK, teksa tha se nuk ka përdorur kurrë kartë krediti në jetën e tij.
Në një intervistë për MCN Tv, kreu i PL u shpreh se nëse karta është përdorur nga Kryemadhi, sipas tij veprim i rëndë për një politikane me përvojë.
“Unë s’e di sa karta ka pasur znj.Kryemadhi. Ajo ka pasur shumë pasuri edhe për shkak të një pallati me nënën e saj. Unë në jetën time kurrë s’kam pasur kartë. Kartat që pretendon SPAK-u s’kanë lidhje me z.Meta. Vende si Bevery Hills apo Las Vegas, as kam qenë, as kam ndërmend të shkoj. Më pëlqen Prevalla. Jam i lidhur me natyrën. Nëse janë të vërteta janë të papranueshme dhe të rënda për një politikane me përvojë, që ka qenë e këshilluar nga ana ime, që të jetë e kujdesshme me ligjin. S’kanë asnjë lidhje këto karta me mua, shpërndahen nga gazetaret e SPAK-ut”, tha Meta.
Teksa ka folur për çështjen e lobimit në SHBA, Meta tha që SPAK-u qëllimisht nuk tregon se kujt ia ka çuar kompania faturat.
Ai shtoi se nëse pretendimi që ngre SPAK-u është i vërtetë (që janë bërë pagesa për llogari të LSI, që s’janë depozituar në KQZ dhe s’janë miratuar në kryesinë e LSI), atëherë kemi të bëjmë me vepra penale.
“Nuk e sqaron SPAK-u qëllimisht, ia kërkuam edhe në seancën e gjykimit prokurorit të çëshjes, ai pretendon për një kompani që ka pasur kontraktë të ligjshme me LSI, e firmosur nga një titullar i kësaj partie, ku i ka faturuar një shumë të madhe që s’korrespondon me shumat e depozituara në KQZ nga kjo parti. SPAK-u s’na thotë kujt personi në LSI kjo kompani ia ka çuar këto fatura. Unë po ta dija s’e kisha lejuar një veprim të tillë.
Në rast se ky pretendim që ngre SPAK-u është i vërtetë, që janë bërë pagesa për llogari të LSI, që s’janë depozituar në KQZ, dhe s’janë miratuar në kryesinë e LSI, padyshim që kemi të bëjmë me vepra penale dhe ata që i kanë bërë janë edhe ata që mbrohen duke mos na i dhënë të plotë faktet. SPAK-u na flet qëllimisht kujt ia ka çuar kjo kompani këto fatura, personit”, u shpreh ai.
Meta tha gjithashtu se nuk është penduar për retorikën e përdorur ndaj SPAK-ut, madje sipas tij gjuha e përdorur nga Prokurorisë së Posaçme ka qenë e butë.
Presidenti i PL e cilësoi SPAK-un si një instrument për shkatërrimin e demokracisë.
Lini një Përgjigje