Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar mbledhjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze për të "ringjallur” Ballkanin e Hapur. Në Podgoricë u firmosën disa marrëveshje mes dy qeverive, ndërsa në një konferencë të përbashkët shtypi mes Ramës dhe homologut malazez Dritan Abazoviç, janë prekur shumë çështje.
Kryeministri u ndal te Ballkani i Hapur, projekt i cili ka pjesë të tij vetëm Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë, pasi Mali i Zi nuk i është bashkuar ende, ndonëse Abazoviç në parim ka rënë dakord.
Ky projekt këto kohë është zbehur totalisht, pasi BE riktheu projektin e Berlinit. Madje u mbajt dhe një takim në Tiranë, duke prishur planet Rama-Vuçiç. Rama sot e rihapi si çështje, duke kërkuar dhe nga Mali i Zi që të behet pjesë e nismës.
“Kur ishim në Berlin në procesin e Berlinit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut rifirmosën gjëra që i kishin firmosur më parë. Unë nuk pashë aty asnjë marrëveshje të re. Nuk di asnjë marrëveshje të Ballkanit të Hapur që nuk është në Procesin e Berlinit. Pse deri kur nisi Ballkani i Hapur nuk ishte realizuar asnjë marrëveshje? Pse procesi i përshpejtua? Sepse për këtë është Ballkani i Hapur. Kush do të shohë në këtë proces kinezë, rusë apo marsianë le t’i shohë nuk është problem”, tha Rama.
Ndërsa Abazoviç nuk e përmendi fare termin Ballkani i Hapur. Ai u shpreh se çdo projekt që garanton paqe është me rëndësi, por nuk dha asnjë sinjal se Mali i Zi do të bëhet pjesë.
“Ne kemi marrë pjesë në samitin e mëparshëm. Çdo bashkëpunim rajonal i shkakton paqes dhe stabilitetit dhe nuk ka dhimbje koke për këtë. Dhimbje koke do të kishim vetëm nëse do të ndodhte e kundërta. Për rajonin dhe Malin e Zi po vijnë ditë më të mira. Të kaluarën nuk e ndryshojmë dot, por mund të bëjmë këtë gjë me të ardhshmen”, tha Abazoviç.
Firmosen 11 marrëveshje
Në mbledhjen mes dy qeverive u firmosën 11 marrëveshje. Projekti më i rëndësishëm është ura që do të ndërtohet në Bunë. Ura 310 metra e gjatë do të shkurtojë rrugën nga Mali i zi drejt Shqipërisë duke kaluar nga Ulqini drejt Velipojës, nga 70 kilometra në vetëm disa kilometra. Të dy qeveritë dakordësohen në hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj që do ti shërbejë edhe rrugës që do të lidhë dy vendet. Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku dhe ministri i Investimeve kapitale Ervin Ibrahimovic hodhën firmat në memorandumin për bashkëpunim në fushën e energjisë. Përmes një tjetër marrëveshje synohet mirëmbajtja dhe menaxhimi përbashkët i peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës. Po ashtu u nënshkruan marrëveshje në fushën e mbrojtjes sociale. Një memorandum bashkëpunimi midis Ministrive të arsimit dhe kulturës të dy vendeve. Dy memorandume të tjera synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, shëndetësisë dhe kulturës.
Rama ja “ngec” urën Abazoviçit
Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëveshjen me Malin e Zi për ndërtimin e urës mbi lumin Bunë që do të bëjë distancën mes Velipojës dhe Ulqinit vetëm 300 metra. Kreu i qeverisë tregoi se projekti do të bëhet me fonde të përbashkëta ndërsa tregoi bisedën me homologun malazez, të cilit i ka kujtuar se pagat i kanë më të larta në Mal të Zi.
“Ne nuk mundet të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit me një proces të Ballkanit, por duhet të vëmë fuqitë tona të përbashkëta për të jetësuar ato parime e ide që janë themeli i procesit të Berlinit. Më vjen shumë mirë që sot kemi firmosur një marrëveshje shumë të rëndësishme për jetësimin e vizioneve dhe planeve që është ndërtimi i urës mbi Bunë, e cila do e kthejë distancën mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në 300 metra nga dhjetëra kilometra. Kjo nuk është marrëveshje e thjeshtë por jetësimi e bazuar në projektin e zbatimit nga FSHZH. Projektin e kemi zbatuar me fondet tona, tani me fonde të përbashkëta do bëjmë dhe urën. I thashë edhe Dritanit, Këtu në Mal të Zi i keni rrogat më të larta dhe nuk shkon që t’jua paguajë Shqipëria dhe urën”, tha Rama.
Abazoviç jep detaje mbi urën
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka bërë me dije se ndërtimi i urës mbi lumin Buna do të kushtojë 20 milionë euro. Në deklaratën për media u shpreh se do të hapin tender për ofertën më të lirë dhe do e paguajnë për 3 vite.
“Kjo është marrëveshja qendrore. Disa animime i kemi treguar. Mendoj që do të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe nëse ndahet përgjysmë nuk është shumë nga buxheti kapital. Në vitin e parë jepen vetëm mjetet fillestare. Pagesa do të bëhet në disa vite që të mos jetë ngarkesë e ngarkuar për vendet tona. 73 km janë aktualisht, ura do të jetë 300 metra. Kemi trafik gjatë verës dhe do të ketë benefite edhe për GDP e 2 shteteve. Unë nuk e di që diçka mund të jetë më efektive dhe kaq i lirë për nga vlera. Pala shqiptare e ka bërë projektimin dhe shpresoj që të hapim tenderin për ofertën më të mirë. Një projekt i tillë për 3 vjet mund ta paguajë administrata vendore e jo buxheti i shtetit. Komisioni ndërshtetëror do të bëjë të gjitha kontrollet në terren. Edhe pika Pulaj-Shënkoll do të jetë në funksion të kësaj”, tha Abazoviç.
Rama-Abazoviç flasin për dialogun Kosovë-Serbi
Kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazoviç kanë folur në konferencë edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Kreu i qeverisë malazeze shprehet se një marrëveshje Kurti-Vuçiç do të ishte e mirë për të gjithë rajonin.
“Ai takim në Bruksel ashtu si edhe ky këtu ka të bëjë me të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Ne maksimalisht përkrahim dialogun mes Shqipërisë dhe Kosovës. Mendojmë se plani franko-gjerman është një plan i mirë. Ndihmon paqen në rajon. E ardhmja jonë e të gjithë është bashkëpunim dhe respekti mes shteteve të ndryshme. E rëndësishme është që në fund të fundit çdokush do të jetë në dobi nëse vendos çfarë duan ndërkombëtarët dhe popujt këtu. Humbje do të ketë nëse vazhdohet me statuskuonë. Ne mbështesim dialogun, bashkëjetesën dhe marrëveshjen. Nuk mbështesim politikën e ndarjes dhe atë të viteve 90. Unë dua të besoj se liderët e Serbisë dhe Kosovës do ta kuptojnë këtë gjë. Sa më mirë ta kuptojnë aq më mirë do të ishte për ta dhe një shembull për të gjithë rajonin”, tha Abazoviç.
Ndërkohë që Kryeministri Rama tha se propozimi i ndërkombëtarëve është marrëveshja me e mirë që ka qenë ndonjëherë në tavolinë.
“Shqipëria nuk është superfuqi siç është Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk na takon ne që t’u thotë palëve në dialog pa kushte apo me kushte. Kjo është një çështje që i takon atyre, ata kanë përgjegjësinë për të vendosur për vendet e tyre dhe që më pas paguajnë kosto të vendimmarrjet e gabuara. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Çdo rrugët tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë, për vota, për luftëra të brendshme dhe që nuk ka lidhje me të ardhshme. Unë dua shumë të shpresoj dhe jam me gjithë zemër i angazhuar që çështja mes Shqipërisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën pa kthim dhe më shpejt se sa vonë të dyja vendet që super fuqitë t’i marrin prej veshi sa herë që grinden në oborrin pas shkollës. Mendoj se marrëveshja e bazuar në planin franko gjerman është më e mirë gjë që ka qenë ndonjëherë në tavolinë. Por ky është thjesht një opinion. Unë respektoj sovranitetin e palëve për të vendosur për vendin e tyre. Ne do të jemi në krah të autoriteteve të Kosovës që unë i uroj me gjithë zemër thellësit, vendosmëri dhe sukses”, tha Rama. /Pamfleti
Lini një Përgjigje