
Mbi 150 mijë aplikime të shqiptarëve të diasporës për tu regjistruar si zgjedhës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit janë pranuar nga KQZ, ndërkohë që në total janë bërë 187 mijë aplikime.
Referuar ndarjes sipas qarqeve, Tirana ka numrin më të lartë të emigrantëve të regjistruar dhe më pas renditen Fieri, Durrësi e Fieri.
Rreth 37 mijë zgjedhësve u është refuzuar ky regjistrim për shkak të mosplotësimit siç duhet të formularit, ndërkohë ato mund të ri-aplikojnë duke respektuar procedurat e regjistrimit.
Referuar shpërndarjes rreth 31 mijë emigrantë janë regjistruar si zgjedhës në Tiranë, e ndjekur nga Fieri me mbi 19 mijë, Durrësi dhe Elbasani me mbi 15 mijë, Korça 14 mijë, Vlora 12 mijë, Berati mbi 10 mijë, Shkodra rreth 10 mijë, Lezha me 8 mijë, Gjirokastra dhe Dibra me rreth 6 mijë dhe në fund Kukësi me rreth 2500 të regjistruar, raporton gazetarja e Report tv, Esiona Konomi.
Por cilat janë qarqet ku vota e emigrantëve mund të ndryshojë numrin e mandateve për socialistët apo opozitën e drejtuar nga PD, bazuar në zgjedhjet e 2021?
Një nga qarqet është Durrësi, ku mandati i fundit u nda për disa qindra vota, ndërsa në 11 maj, mund të ketë minimalisht 15 mijë votues më shumë, për shkak të votës së emigrantëve.
Gjithashtu në Berat dhe Tiranë, vota e emigrantëve mund të sjellë një ndryshim sa i takon shpërndarjes së mandateve, referuar edhe faktit se kryeqyteti përfaqëson qarkun më të madh me 37 mandate, por edhe se do të ketë një angazhim më të madh nga partitë e reja. Po kështu në Korçë dhe Fier, përkatësisht me 11 dhe 16 mandate, vota e emigrantëve mund të ndikojë në shpërndarje mandatesh.
Shifrat zyrtare deri tani nga KQZ:
-187,404 Zgjedhës (unikë) që kanë bërë kërkesë për regjistrim
-150,232 Zgjedhës (unikë) të cilëve u është miratuar kërkesa
-36,731 Zgjedhës (unikë) të cilëve u është refuzuar kërkesa
Shpërndarja e emigrantëve të regjistruar sipas qarqeve:
-Tiranë, 30,832, ose 20.5%
-Fier 19,216, ose 12.8%
-Durrës 15,382, ose 10.2%
-Elbasan 15,126, ose 10.1%
-Korçë 14,342, ose 9.5%
-Vlorë 12,326, ose 8.2%
-Berat 10,651, ose 7.1%
-Shkodër 9,902, ose 6.6%
-Lezhë 8,090, ose 5.4%
-Gjirokastër 5,953, ose 4.0%
-Dibër 5,924, ose 3.9%
-Kukës 2,488, ose 1.7%
Lini një Përgjigje