
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi sot një videomesazh ku akuzon kryeministrin Edi Rama se po mashtrime me deklaratat e tij lidhur me rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Berisha e cilësoi bonusin për pensionistët si “minimal dhe qesharak”, duke deklaruar se: “Bonusi i pensioneve për 690 mijë pensionistë është ndër më qesharakët. Janë 2 kile domate në muaj. Kjo është shtesa e pensioneve sipas qeverisë aktuale”.
Ai theksoi se pagat në Shqipëri mbeten më të ulëtat në rajon, ndërsa shtoi se situata është përkeqësuar krahasuar me vitin 2013.
Sipas kryedemokratit, qeveria mban përgjegjësi edhe për emigrimin masiv, duke iu referuar të dhënave të Eurostat.
“Vetëm në 10 vite janë larguar 1.099.000 shqiptarë… të paktën 45 deri në 47% e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD kritikoi edhe organizimin e konventës së diasporës, ndërsa u shpreh se kryeministri është “një nga armiqtë më të egër të kombit shqiptar”.
Ai vuri në dyshim edhe shifrat për investimet e huaja, duke deklaruar se një pjesë e madhe e tyre nuk janë investime reale.
“Nga 1.6 miliardë euro, 800 milionë nuk janë investime të huaja, por riinvestime… ndërsa më pak se 300 milionë euro janë investime direkte", tha Berisha.
Sipas tij, ekonomia ndodhet në rënie, duke përmendur tkurrje të prodhimit industrial dhe bujqësor, si dhe rënie të eksporteve.
"Rritja ekonomike që raporton qeveria diktohet tërësisht nga taksat e larta dhe numri i madh i rrogëtarëve në shtet”, përfundoi Berisha.
Lini një Përgjigje