
Zanafillën ky konflikt e ka në datën 12 maj 2023, 2 ditë para zgjedhjeve vendore, kur Fredi Beleri, asokohe kandidat i opozitës nën koalicionin “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës u arrestua në flagrancë në lokalin e tij në mesnatë teksa bënte pazare për blerje votash.
Zgjedhjet që zhvillohen sot në Bashkinë e Himarës do t’i japin fund një rrugëtimi 15 mujor të bashkisë pa kryetar legjitim në krye të saj.
Saga nisi dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023 me arrestimin e Belerit dhe pritet të përfundojë këtë 4 gusht me zgjedhjen e kryetarit të ri mes Vangjel Tavos dhe Petro Gjikurisë.
Këto zgjedhje pritet gjithashtu t’i japin fund tensioneve mes diplomacive të Shqipërisë e Greqisë.
Arrestimi i Belerit
Zanafillën ky konflikt e ka në datën 12 maj 2023, 2 ditë para zgjedhjeve vendore, kur Fredi Beleri, asokohe kandidat i opozitës nën koalicionin “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës u arrestua në flagrancë në lokalin e tij në mesnatë teksa bënte pazare për blerje votash.
Votimet u zhvilluan në një klimë të pazakontë, mes një kandidati në burg dhe Jorgo Goros, që mbante postin e kryebashkiakut aktual.
Përpos akuzave të opozitës se arrestimi i kandidatit të saj Fredi Belerit ishte politik dhe i urdhëruar drejtpërdrejtë nga Edi Rama, procesi zgjedhor shkoi i qetë dhe himariotët votuan.
Nga 22 mijë e 833 votues, votuan 7821 qytetarë, ndërsa me vetëm 19 vota më shumë se rivali i tij, Fredi Beleri u shpall nga burgu fitues i zgjedhjeve.
Simpatizantët e Belerit festuan fitoren me flamujt grekë dhe thirrje në gjuhën Helene.
Fitoren e Belerit në këto zgjedhje e përshëndetën edhe krerët më të lartë të politikës greke, mes të cilëve edhe vetë Mitsotakis.
Por gëzimi i fitores zgjati pak, e Fredi Beleri në mesin e një beteje ligjore për të shpallur veten të pafajshëm, kërkoi disa herë leje për t’u betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës, leje që sa herë kërkohej, refuzohej nga autoritetet për shkak të vakumit ligjor.
Arrestimi i Jorgo Goros
Në mungesë të betimit të Fredi Belerit, bashkia vijoi të drejtohej nga Jorgo Goro edhe për disa muaj, derisa më 23 mars, me urdhër të SPAK u arrestua edhe kryebashkiaku në detyrë i Himarës.
Arrestimi edhe pas një denoncimi që Fredi Beleri kishte bërë nga burgu për pronat e Himarës dhe rolin e kryebashkiakut për privatizimin e tyre në funksion të dhënies investitorëve strategjikë. Beteja politike tashmë ishte zhvendosur në dyert e SPAK, ku të dy kryebashkiakët luftonin për liri.
Emërimi i Blerina Balës në krye të Bashkisë Himarë
Me vënien në pranga edhe të kryebashkiakut në detyrë, drejtimi i Bashkisë i kaloi përkohësisht Blerina Balës. Emërimi i saj më 29 mars të 2024 nga Këshilli Bashkiak u shoqërua me tensione të forta, ndërsa mbështetësit e Fredi Belerit të pranishëm në sallë, tentuan të përplaseshin edhe me Vangjel Tavon, që sapo ishte emëruar prefekt i Qarkut Vlorë.
Dorëheqja e Balës
Caktimi i Balës si kryetare e komanduar nuk do t’i jepte fund ngërçit të drejtimit të Bashkisë së Himarës. Vetëm pak javë pas komandimit, ajo lajmëroi dorëheqjen dhe prej 7 Qershorit Bashkia drejtohet nga nënkryetari Arqile Bollano.
Zgjidhja e ngërçit të drejtimit të Himarës nisi të merrte jetë, pasi në institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë në vend: Strukturës së Posaçme anti-korrupsion u dha vendimi përfundimtar për Fredi Belerin: Apeli i GJKKO vendosi të dënojë me 2 vite burg Belerin për korrupsion aktiv në zgjedhje, vepër penale që ndalonte Belerin të ushtronte detyrën e funksionarit publik.
Ky vendim i hapi rrugë zgjedhjeve te reja në Himarë.
KQZ u vu në lëvizje përmes një shkrese të kreut të FRESSH në Himarë, ku kërkonte që institucioni i administrimit të zgjedhjeve të shpallte të pavlefshëm mandatin e Belerit për shkak të dënimit të tij.
Përpara se të vendoste, KQZ thirri në seancë Fredi Belerin, që deri në atë kohë vijonte ta gëzonte statusin e kryetarit të zgjedhur të Himarës.
KQZ i heq mandatin Fredi Belerit
Më 5 korrik Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të shpallte të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit ndërsa vetëm pak orë më vonë Këshilli i Ministrave njoftoi Presidencën për vakancën. Bajram Begajt nuk iu desh shumë, dhe pasditen e 5 korrikut shpalli datën e zgjedhjeve 4 gushtin, ditën më të afërt që ligji e lejonte.
Partia Socialiste zgjedh Vangjel Tavo si kandidat
Tashmë radha do të ishte e kandidatëve. Partia Socialiste nuk surprizoi. Vangjel Tavo u shpall kandidat i PS për Himarën, ndërsa emri i tij kishte nisur të lakohej prej muajsh, që kur Rama e caktoi Prefekt.
Njeriut që nisi karrierën politike në PS, por u largua për disa vite për shkak të përplasjeve me vetë kryeministrin, tashmë Rama i besoi garën në një prej bashkive më të vështira, duke shpresuar jo vetëm mbajtjen e Himarës, por mbase edhe përmirësimit përmes tij të marrëdhënieve ndonjëherë të tensionuara që për shkak të bashkisë me minoritet grek pati me Greqinë.
Petro Gjikuria kandidat i opozitës
Opozita zgjodhi kandidat Petro Gjikurinë, një emër tërësisht i panjohur për politikën në qendër. Por, për Himariotët, njihej si mbështetës i Fredi Belerit. Të paktat herë që shqiptaro-amerikani kishte ardhur nga Amerika ku jetonte, në Himarë, ishte për të mbbështetur fushatën e Fredi Belerit.
Bashkia e Himarës përbëhet nga 3 njësi administrative dhe ka një shtrirje të gjerë përgjatë të gjithë bregut të Jonit si dhe në malet e Labërisë. Në këtë 4 gusht, të drejtën e votës rezulton ta kenë 23 mijë e 74 himariotë.
Lini një Përgjigje