
Kreu i PD-së Sali Berisha nga dritarja e banesës ku po vuan masën e sigurisë “arrest shtëpie”, akuzoi kryeministrin Edi Rama si mashtrues ordiner, delinkuent me qëllime grabitqare.
Berisha vazhdoi më tje me akuza ndaj Ramës duke deklaruar se ky i fundit është bërë pronar i 224 mijë metra katrorë tokë, pa asnjë dokument. Sipas tij për përvetësimin e kësaj toke, Rama ka ndryshuar dy ligje dhe ka lëshuar shtatë vendime qeveritare për të marrë pjesën e tokës në Gjipe.
Sipas kreut të PD-së Rama të cilin ai e cilëson si të “pangopur”, është një rrezik jo vetëm për Gjipen por për të gjithë bregdetin shqiptar.
“Një njeri, një mashtrues ordiner, një delinkuent, i cili keqësinë e tij shpirtërore, ligësinë e tij njerëzore do ta shfaqë ndaj cilitdo për të realizuar qëllimet e tij grabitqare. Dhe ky është Edvin Gjipeja, i cili sipas dokumenteve zyrtare, sipas denoncimeve publike të bazuara në dokumente zyrtare me klanin e tij është bërë pronar i një toke prej 224 mijë metra katrorë. Një toke, për të cilën nuk ekziston asnjë dokument kadastre.
Nuk ekziston asnjë dokument shpronësimi. Një toke, e cila është marrë dhe për këtë akt Edi Rama ka ndryshuar dy ligje dhe ka lëshuar shtatë vendime qeveritare. Edvin Gjipeja, se tani e tutje do e quajmë Edvin Gjipeja, po! Po miq, territori, sipërfaqja që ka marrë Edvin Gjipeja është fiks 224 mijë metër katrorë, është fiks sa gjysma e të gjithë qytetit të Tiranës në vitet ’90. E kuptoni që ka bërë kërdinë ky lubi i pangopur?
Ky njeri që u thotë shqiptarëve tre muaj më parë se unë dhe e ndjera nëna ime, nuk kemi kërkuar kurrë një metër katror tokë. Sikur nëna e tij e ndjerë nuk ishte Aneta Rama Koleka, palë në gjyq për të marrë tokën dhe kërkesa të tjera.
Miqtë e mi, Edvin Gjipeja nuk është rrezik vetëm për Gjipenë. Ai është një rrezik i madh për të gjithë Bregun e Shqipërisë. Për të gjitha trojet e Himarës. Nga Borshi, në Palasë. Kjo Gjipeja u zbulua rastësisht nga një gazetar, të cilin ia njoh për meritë të madhe zbulimin. Po sa Gjipeja të tjera ka që ne nuk i dimë akoma? A e kuptoni miq se Edi Rama nuk ka asnjë interes kombëtar.
Nuk ka asnjë interes shoqëror, nuk ka asnjë interes tjetër përveç pasurimit të tij mafioz dhe interesave të tij mafioze. Shikoni se ku i katandisi marrëdhëniet me vendin fqinj, vetëm e vetëm se Fredi Beleri nuk pranoi kurrë të kandidonte në emër të Edi Ramës. Të përligjte vjedhjet dhe plaçkitjet e tij në trojet e Himarës”, tha ndër të tjera Berisha.
Lini një Përgjigje