TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Mars 2024, 15:46

Lindita Nikolla nis “ping pong”-un me mandatin e Olta Xhaçkës, heq përgjegjësinë nga vetja për zvarritjen prej dy vitesh të procesit

Shkruar nga Pamfleti
Lindita Nikolla nis “ping pong”-un me mandatin e Olta
Olta Xhaçka dhe Lindita Nikolla

Kuvendi vijon të zvarrisë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës...

Nuk ka asnjë dilemë. Mazhoranca vijon të luajë “ping pong” sa i takon mandatit të Olta Xhaçkës. Edhe pse ka dy vite  kërkesa në Kuvend (korrik 2022) për t'i hequr mandatin deputetes për konflikt interesi lidhur me shpalljen e burrit të saj investitor strategjik, vijon i njëjti avaz.

Dje Gazment Bardhi ju drejtua me një kërkesë Lindita Nikollës, duke i kërkuar të thërrasë Konferencën e Kryetarëve dhe të diskutojë mbi këtë çështje. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyron Kuvendin të marrë vendim dhe më pas do jetë kjo gjykatë që do të vendosë nëse duhet t’i hiqet apo jo mandati. Por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka hequr përgjegjësinë nga vetja në letrën që i ka dërguar Bardhit.

Në përgjigje të shkresës suaj, nr.1090 prot, datë 25.3.2024, me anë të së cilës kërkohet thirrja e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve me rend dite: "Përfshirjen për shqyrtim në seancën më të afërt plenare të zbatimit të vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, duke urdhëruar dërgimin e çështjes së mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese", ju bëj me dije se: Këshilli për Legjislacionin, në zbatim të nenit 14 të Rregullores së Kuvendit, ka marrë në shqyrtim vendimet nr. 1 dhe nr. 2, datë 23.1.2023, të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e deputetes Olta Xhaçka. Këshilli për Legjislacionin në përfundim të diskutimeve për shqyrtimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në raportin e tij ia adreson çështjen për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Në bazë të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, si dhe të raportit të Këshillit për Legjislacionin, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do ta marrë në shqyrtim raportin dhe në bazë të pikës 7 të këtij neni, pas përfundimit të diskutimeve, Këshilli i paraqet Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen. Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes”, thekson Nikolla në përgjigjen për Bardhin. Sipas saj, kërkesa është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe jo i Konferencës së Kryetarëve, duke hequr përgjegjësinë nga vetja.

PD pretendon se Xhaçka është në konflikt interesi, pasi burri i saj ka dalë investitor strategjik. Shumica e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës në vitin 2022, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës.

Në nëntor 2022, Kuvendi vendosi të mos miratojë raportin e pakicës parlamentare dhe të miratojë atë të shumicës për çështjen Xhaçka.

“Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes, Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi”, thuhet në vendimin e Kushtetueses. /Pamfleti

Lini një Përgjigje