Socialistët në mandatin e tretë duket se nuk pyesin për ligj, por kanë marrë rolin e Maliqit dhe kanë këllqe të sfidojnë dhe Kushtetuesen...
Shqipëria vijon të jetë vendi i çudirave. Ndonëse kryeministri del përditë në media dhe krenohet me drejtësinë e re, duket se kjo drejtësi vlen kur e pësojnë qytetarët e thjeshtë, pasi kur vjen puna te pushtetarët, ata janë ndryshe.
Jorgo Goro u arrestua për aferat në Himarë. Padyshim që arrestimi i tij ishte i vonuar, por skandali është se ata që tjetërsuan pronat janë të lirë. E kemi fjalën për Olta Xhaçkën dhe burrin e saj. Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe ata që i dhanë këtë status, përfshirë gruan e tij janë të lirë. Por jo vetëm kaq, Olta Xhaçka është ende deputete, ndonëse jemi në kushte flagrante të konfliktit të interesit.
PD në vitin 2022 bëri një kërkesë në Kuvend që t’i hiqet mandati i deputetes, por PS me manovra e ka zvarritur prej dy vitesh rastin. Fillimisht PS e rrëzoi kërkesën, por PD ju drejtua Kushtetuese, e cila vendosi që të bëhet rivotimi i raporti të PD dhe pasi të miratohet, dosja kalon në Kushtetuese. Është kjo e fundit që vendos nëse kemi apo jo konflikt interesi. Por duke e ditur PS se në Kushtetuese nuk shpëton Xhaçka, e ka bllokuar rastin.
Ditët e fundit PD ka kërkuar nisjen e diskutimeve për këtë rast, por PS duket e vendosur për të mbajtur Xhaçkën në Parlament. Mirëpo me këto veprime PS po shkel hapur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Janë 3 nene që po shkelen me të dyja këmbët.
Neni 70 i Kushtetutës
Kërkesa e demokratëve bazohet në nenin 70 të Kushtetutës i cili shprehet: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”.
Neni 119/1 i Rregullores së Kuvendit
Ndërsa në nenin 119/1 të Rregullores së Kuvendit janë përcaktuar hapat që duhet të ndjekë Kuvendi pas dorëzimit të kërkesës. Sipas këtij neni, Kuvendi nuk vë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk ia nënshtron atë debatit parlamentar, pasi nuk i hyn themelit të çështjes për të vlerësuar nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij.
“Për çdo shkelje të kufizimeve të këtij neni, çështja dërgohet pa vonesë në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi, nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, verifikon nëse mocioni i paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur, verifikon momentin e marrjes së mandatit nga deputeti, verifikon nëse mocioni plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si dhe kujdeset për respektimin e procedurës parlamentare për votimin e mocionit në seancë plenare, në përputhje me parashikimet e Rregullores së tij”, thuhet në nen. Sipas tij, vlerësimi nëse kemi apo jo konflikt interesi është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
Neni 132 i Kushtetutës
Rasti më skandaloz është se PS i jep kompetenca vetes të dalë mbi Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit ka marrë prej më shumë se një viti një vendim, ku detyron Kuvendin të votojë për mandatin e Xhaçkës dhe ta dërgojë në këtë gjykatë raportin. Por PS po shkel hapur nenin 132 të Kushtetutës ku thuhet: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”. Pra pas 3 vitesh në qeverisje, socialistët na janë kryer më Maliqa që kanë dalë mbi ligjin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje