
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur procedurat për mbledhjen e parë të legjislaturës së XI, që do të zhvillohet të premten më 12 shtator, në orën 10:00. Pas dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli këtë datë për nisjen e punimeve, administrata e Kuvendit i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesë për listën e plotë të deputetëve të shpallur fitues, në mënyrë që të bëhet verifikimi i mandateve.
Në shkresën drejtuar KQZ-së theksohet se kërkohet dokumentacioni për kandidatët e zgjedhur në zgjedhjet e 11 majit 2025, në përmbushje të nenit 69 të Kushtetutës dhe vendimit nr. 34, datë 28.8.2025, mbi shpalljen e rezultatit përfundimtar. Ky hap është i domosdoshëm përpara se deputetët të bëjnë betimin dhe të fillojë zyrtarisht legjislatura e re.
“Në përmbushje të detyrës së Kuvendit të Shqipërisë për verifikimin e mandateve të deputetëve shpallur të zgjedhur me vendimin nr/34, datë 28.8.2025 “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 11 maj 2025”, kërkojmë nga ana juaj, në respektim të nenit 69 të Kushtetutës, dokumentacionin e depozituar pranë institucionit tuaj për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e datës 11 maj 2025”, thuhet në shkresën drejtuar KQZ-së.
Një ditë më parë, presidenti Begaj u bëri thirrje deputetëve që të përmbushin angazhimet ndaj qytetarëve, ndërsa më 11 shtator pritet të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste, ku do të prezantohet kabineti qeveritar “Rama 4”. Ky zhvillim i vendos ngjarjet politike në një kalendar të ngjeshur, ku vendimet për përbërjen e qeverisë dhe nisjen e punës së Kuvendit pritet të japin tonin e politikës për muajt në vijim.
Lini një Përgjigje