
Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, gjatë një konference për mediat se Kolegji Zgjedhor nuk duhet të shqyrtojë ankimimet zgjedhore, por duhet të jetë një instancë që lidhet me sistemin gjyqësor.
"Kam qenë kundër Kolegjit që në krye të herës, kur për herë të parë u pa si zgjidhje. Mendoj që duke u nisur nga mënyra se si është organizuar dhe funksionon, nuk është i përshtatshëm.
Për çdo zgjedhje thirren në përgjegjësi për shqyrtimin e ankimimeve në mënyrë rastësore gjyqtarë. Çfarë ndodh? Një gjyqtar që është angazhuar me shqyrtimin e ankimimeve të shkuara nuk merret më. Ne nuk krijojmë një traditë apo eksperiencë me shqyrtimin e ankimimeve zgjedhore dhe kjo sjell vendimmarrje që ndodnjëherë nuk janë koherente.
Kjo s’ka të bëjë me cilësinë e gjyqtarëve, por mënyra se si është organizuar kjo instancë nuk prodhon eficensë, efikasitet. Ndaj të jetë kompetente për shqyrtimin e ankimimeve zgjedhore gjykata e shkallës së aprë, ajo administrative, të jetë një instancë që është pjesë e sistemit gjyqësor. Le ta vendosë politika. Por për gjykimin tim, Kolegji Zgjedhor nuk është model që funksionon. Nuk ka të bëjë fare me cilësitë e atyre individëve që e përbëjnë”, tha ai.
Lidhur me votimin elektronik, Celibashi u shpreh se ka kërkuar që të ishte më me dobi aplikimi i teknologjisë së informacionit, votimi nëpërmjet internetit i votuesit nga jashtë. “Do të garantonte integritet të procesit, kosto më të ulëta dhe eficensë më të mirë në administrim të procesit”, tha ai.
Në vijim Celibashi i ka drejtuar një apel klasës politike në Shqipëri për të vendosur sa më shpejt nëse do të zgjerojë apo jo implementimin e votimit elektronik në vend, pasi një model i tillë për leximin e vullnetit të qytetarëve kërkon shumë kohë për t’u ngritur.
“Do duhet që politika shqiptare të vendosë shpejt në lidhje me këtë çështje. Nëse do të diskutohet për të zgjeruar votimin elektronik, ky votim të merret sa më shpejt, se nëse zgjerimi i tij do të përfshijë të gjithë njësitë e qeverisjes së vendit, kohë që nuk duhet për ta arritur këtë proces, nuk mund të jetë 1, 2, 3, 4 muaj. Numërimi ngelet çështje që duhet të rikonsiderohet.
Do të vazhdojmë kështu si kemi këtë proces, do të vazhdojmë të numërojmë në mënyrë të përqëndruar, apo numërimi në qendrat e votimit. Personalisht mendoj që ka ardhur koha t’i rikthehemi numërimit në qendrat e votimit, por duhet të marrim parasysh disa elememte logjistike, organizative dhe infrastrukturore për këtë model. Kështu si është organizuar ky proces, është jo profesional. Zgjedhjet e fundit treguan që ka probleme që lidhen me transparencën, saktësinë.
Do duhet të konsiderojmë rregullat që kanë të bëjnë me ankimimet zgjedhore. Personalisht mendoj që në instancë gjyqësore do duhet të mos jetë më Kolegji Zgjedhor që shqyrton ankimimet zgjedhore, mund të jetë një gjykatë administrative e zakonshme, apo Gjykata e Lartë. Ka nevojë për t’u parë edhe organizimi dhe funksionimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nëse do të vazhdojë kështu, do duhet të konsiderohen kompetencat e 3 trupave të KQZ. Përsa i përket votimit nga jashtë ka nevojë të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, do të vazhdohet të votojmë nëpërmjet postës, internetit, përfaqësive diplomatike, etj, por duhet të diskutohet edhe për këtë”, tha Celibashi.
Lini një Përgjigje