
Gjykata Kushtetuese ka vendosur mos ta kalojë për shqyrtim kërkesën e 28 deputetëve të opozitës, për antikushtetueshmërinë e drejtimit të Akademisë së Shkencave, duke ngritur arsye proceduriale.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka thënë se Gjinushi nuk është dekretuar nga presidenti Meta si drejtues i Akademisë së Shkencave.
Më tej Zhupa vijoi me akuzat, kundrejt Gjinushit se ai nuk është një anëtar i përhershëm sepse ishte kryetari i një partie politike dhe sipas ligjit të Akademisë që të zgjidhesh kryetar duhet të jesh anëtar i përhershëm.
“Skënder Gjinushi nuk është dekretuar nga presidenti Meta, jo sepse e kishte inat apo nuk e kishte qejf por sepse e kishte shkelur ligjin. Nuk ishte anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave sepse ishte kryetari i një partie politike dhe sipas ligjit të Akademisë që të zgjidhesh kryetar duhet të jesh anëtar i përhershëm. Edhe kur u zgjidh kryetar prapë në gjykatë siç e ka e marrë vërtetimin presidenti i atëkohshëm Ilir Meta, rezultonte kryetar i një partie. Kryetar partie edhe kur kandidonte, edhe kur u zgjodh dhe disa muaj pas kur u çregjistrua në gjykatë”, tha ajo në një intervistë për “Ora e Betit”.
Zhupa thotë se shqetësimi i saj nuk është mandati i Gjinushit si person, por që të mos ketë Gjinushër të tjerë që e zgjedhin Akademinë e Shkencave për pensionim luksi.
Ajo deklaron se ai është një personazh që nuk ka botime shkencor të botuar në vend apo jashtë tij.
“Gjykata Kushtetuese po mundohet këto kohë të gjejë kleçka proceduriale për të mos u hyrë çështjeve në themel sepse fitojnë deputetët e opozitës dhe interesi publik. Thonë që nuk jeni palë të interesuara dhe nëse jeni pse nuk e sollët në 2019? Në 2019 nuk kishim Gjykatë Kushtetuese dhe së dyti ne nuk mbajmë përgjegjësi për legjislaturat e kaluara. Akademia e Shkencave është një institucion kombëtar. Ligjin e Akademisë së Shkencave në shkelje të Kushtetutës e ka bërë Kuvendi dhe e ka votuar Kuvendi dhe ne jemi palë. Se kam shqetësimin te mandati i Gjinushit si person, uroj ta mbyllë me kaq por shqetësimi është të mos ketë Gjinushër të tjerë që e zgjedhin Akademinë e Shkencave për pensionim luksi. Të mbyllë karrierën e tij politike, të pensionohet duke vegjetuar në Akademinë e Shkencave një personazh që nuk ka një botim shkencor të tij të botuar në vend apo jashtë tij dhe është kryetar i Akademisë. Bën gjithçka për të marrë në mënyrë ekstraligjore, për të porositur një ligj me porosi që të japë vetes një mandat të dytë”, tha Zhupa.
Lini një Përgjigje