
Rama nuk ktheu një përgjigje konkrete për projektin gjigant që dhëndri i Trump po investon në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama, ka folur sot në Pragë, në “GLOBSEC 2024”, me temën e zgjedhur nga moderatori Steve Clemons, “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”.
Rama është pyetur nga moderatori i diskutimit se si ai arrin të ketë marrëdhënie të mira si me Donald Trump por edhe me Joe Biden, në SHBA, duke i kujtuar këtu marrëveshjen me dhëndrin e Trump, Jared Kushner për ndërtimin e resortit luksoz në ishullin e Sazanit.
Kryeministri Rama tha se ai madje ka edhe marrëdhënie të mira edhe me Alex Soros, që sipas tij është një "konfrontim edhe me më shumë kripë se Biden-Trump".
Ai shtoi se Shqipëria është një vend i vogël që ka nevojë për miq, ashtu sikundër ka marrëdhënie të mira edhe me Greqinë edhe me Turqinë.
Moderatori Steve Clemons: Njiheni që keni marrëdhënie shumë të mirë me pjesëtarë të Trump kur ka qenë president, por edhe me ekipin e Bidenit.Si menaxhoni me të dyja anët. Kushner po zhvillon një pjesë të bukur në Shqipëri, mund të bëjë këtë dhe një pasardhës i Biden. Si lundroni në këto personalitete botërore.
Kryeministri Edi Rama: Jam rritur në kohët e komunizmit, në një regjim të pamëshirshëm, komunistët thoshin miqtë e miqve tanë, janë miqtë tanë dhe me armiqtë po ashtu. E shoh që kjo bëhet mënyrë sjelljeje dhe e demokratëve në Evropë dhe Amerikë. Unë nuk besoj te kjo. Ndoshta jam kryeministri më i gjatë këtej, jam i vetëdijshëm që përfaqësoj një vend të vogël që ka nevojë për miq. Unë jam mik edhe me Jared edhe me Alex Soros. Është një konfrontim edhe më me kripë sesa Biden dhe Trump. Shqipëria është mike me Greqinë dhe Turqinë, si mund të marrim anë? Ne mendojmë si të forcojmë miqësitë me të dyja vendet. Unë jam mik i mirë me Melonin. I kam shpjeguar të mive që s’është ide e mirë të mendohem si tradhtar nëse shkoj flas te një takim i saj. Unë besoj që të flasësh me njerëzit, madje dhe të mos biesh dakord, është më mirë se të mos flasësh dhe të shtosh mosmarrëveshjet.
Kushner ka njoftuar në platformat e tij të mediave sociale se ishte "i emocionuar për të ndarë imazhet e hershme të dizajnit për projektet e zhvillimit që janë krijuar për bregdetin shqiptar". Kryeministri Edi Rama tha se vendi i tij është krenar për një projekt të tillë.
Megjithatë, reagimi nga komuniteti i mjedisit ka qenë më i rezervuar.
Një nga vendet në fjalë ndodhet në parkun detar Karaburun-Sazan në ishullin e Sazanit, një ish-bazë ushtarake. Tjetri është në gadishullin e Zvërnecit në Shqipërinë jugperëndimore, i cili është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosa-Nartë. Kjo zonë ku do të ndërtoheshin disa hotele dhe vila është pjesë e komunitetit të Vlorës.
Investimet “big” në ishullin e Sazanit dhe Zvërnec
Firma e kapitalit privat të Jared Kushner, Affinity Partners, do të realizojë tre investime të rëndësishme për zhvillimin e pronave në Ballkan, me investimin total potencialisht mbi 1 miliard dollarë. Firma me bazë në Miami ka prezantuar projektet për transformimin e ishullit të Sazanit në Shqipëri, më parë një bazë ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman. Për më tepër, Affinity planifikon të zhvillojë Gadishullin e Zvërnecit në Shqipëri, duke synuar të prezantojë disa resorte kryesore me afro 10,000 njësi vilash dhe dhoma hoteli.
Jared Kushner, në një intervistë për Bloomberg News, shprehu admirimin e tij për ishullin e Sazanit, duke e përshkruar atë si një nga brigjet më të pacenuara dhe unike në botë. “Sazani është unik dhe i pacënuar. Nuk kam parë si ai ishull në asnjë vend tjetër në botë”, thotë Kushner për Bloomberg.
Financimi
Jared Kushner, ish-këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe dhëndri i ish-Presidentit Donald Trump, themeloi Affinity Partners pasi la shërbimin qeveritar. Firma, me asete që arrijnë në 3.1 miliardë dollarë, ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga investitorë të mbështetur nga Arabia Saudite, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike arabe. Firma e Kushner është gjithashtu duke eksploruar investime në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale. Veçanërisht, Kushner luajti një rol vendimtar në Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa kombeve arabe në vitin 2020. Ai ka deklaruar më herët se nuk ka në plan t’i ribashkohet administratës së Trump nëse do të zgjidhet president i SHBA në nëntor, për herë të dytë.
Lini një Përgjigje