
Partia Socialiste nuk ka ndërmend të heqë dorë nga posterat elektoralë. Edhe pse kur u bë reforma zgjedhore u angazhua të heqë flamujt dhe banderolat, Tirana dhe shumë qytete të vendit janë mbushur me banderola.
KQZ raportoi ditën e sotme për denoncime në lidhje me disa materiale propagandistike. Duke i lënë një afat PS-së 48 orë, për të vënë në dispozicion marrëveshjet kontraktuese, të bëra nga socialistet me subjekte tregtare.
Sot Partia Socialiste i është drejtuar me një shkresë Ilirian Celibashit, ku e cilëson të ligjshme vendosjen e banderolave. Po ashtu shprehet se nuk po përdoren fondet e KQZ për këto postera.
“I nderuar Z.Komisioner
Nëpërmjet shkresës tuaj me nr.4043 prot., datë 20.04.2023 jemi vënë në dijeni mbi kërkesën për informacion mbi afishimin e posterave reklamues nga Partia Socialiste e Shqipërisë në disa vende ku, sikurse theksohet edhe në këtë shkresë, zakonisht vendosen "...reklama me pagesë...". Në vijim të sa është kërkuar, ju bëjmë me dije si më poshtë vijon:
Lidhur me pikën e parë ju informojmë se posterat janë afishuar në kuadër të marrëveshjeve kontraktuese, të bëra nga Partia Socialiste me subjekte tregtare që operojnë në këtë fushë dhe nuk janë përfituar në kuadër procesit të shpërndarjes proporcionale të bërë sipas përcaktimeve të nenit 79 të Kodit Zgjedhor si dhe të udhëzimit nr.6, datë 23.3.2021, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, "Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore". Informacionet e mëtejshme lidhur me procedurat e ndjekura për këtë kontraktim do i bëhen të ditura institucionit tuaj në kuadër të dërgimit të raporteve të detajuara financiare brenda afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor dhe ligji nr 8580, datë 17.2.2000 "Për partitë politike", i ndryshuar.
Sa i përket kërkesës së dytë, ju informojmë se në secilin prej posterave reklamues të afishuar është vendosur në mënyrë të qartë dhe të dukshme logo dhe emri i subjektit zgjedhor, Partia Socialiste e Shqipërisë, si subjekt që ka porositur edhe afishimin e këtyre posterave reklamues”, thuhet në letër.

Lini një Përgjigje