Disfata e thellë në zgjedhjet e 14 majit, ka sjellë në vëmendje nevojën për riorganizim dhe zgjedhjen e drejtuesit në Partinë Demokratike, e cila që prej dorëheqjes së Lulzim Bashës më 21 Mars 2022 është në kaos dhe e ndarë në dy kampe.
Gazment Bardhi, i cili përkohësisht po mban dy postet më të rëndësishme në parti pas kryetarit, atë të Sekretarit të Përgjithshëm dhe kreut të grupit parlamentar ka thirrur sot deputetët dhe nesër (5-6 Qershor) kryesinë e PD me qëllim organizimin e partisë.
Në këto mbledhje, e veçanërisht do të propozohen hapat që duhet të marrë PD në ringritjen e saj, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të ri.
Diskutimi kryesor pritet të jetë pikërisht hapja e garës për këtë të fundit në një kohë kur ekipi drejtues i PD është i ndarë në 2 qëndrime kryesore, i pari që PD të futet në garën për kryetarin sa më shpejt, duke vulosur përfundimisht ndarjen me PD e Rithemelimit, që vijon të drejtohet nga Sali Berisha edhe pse KQZ nuk e legjitimoi si kryetar.
Grupi tjetër, kërkon më shumë kohë për këtë proces, duke kërkuar fillimisht kohën e nevojshme të reflektimit dhe lënies hapësirë për të tjera negociata bashkimi me PD e Rithemeluar, e më tej drejtimin përmes një organi kolegjial të dy PD-ve deri në zgjedhjen e kreut të ri.
Të tillë deputetë janë: Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Ferdinand Xhaferraj por edhe nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila ende nuk është shprehur nëse do të pranojë rolin e kryetares së komanduar.
Por, ky skenar duket i vështirë sa kohë asnjëra nga palët nuk po bën përpjekje konkrete për bashkimin, edhe pas humbjes së thellë më 14 maj, e kur Sali Berisha ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga drejtimi i demokratëve që e mbështesin.
Paralel me këto zhvillime Lulzim Basha ka nisur turin e rikthimit, me takime në çdo qytet, që shihet si fushata e tij për kthimin në krye të PD.
Rikandidimin për kryetar ai nuk e mohuar asnjëherë, megjithatë ish kreu demokrat ka shqiptuar në çdo dalje të tij se PD nuk mund të mbetet peng i problemeve të Sali Berishës duke kërkuar ndarjen përfundimtare të demokratëve me ish-liderin e shpallur non grata nga SHBA.
Basha edh ditën e djeshme i dha goditje të fortë Berishës duke e cilësuar atë si kapitull të mbyllur dhe që PD nuk ka më punë me të.
“Me sulmet ndaj meje po heq përgjegjësinë për humbjen e 14 majit. Mundësi e dytë është që ta ketë humbur fare që pasi shpartalloi armiqtë e jashtëm po shpartallon armiqtë brenda. Për mua është kapitull i mbyllur. Unë e kam lënë pas dhe nuk duhet të harxhojmë kohë. Të merremi me të ardhmen, e djeshmja nuk sjell asgjë të mirë”, tha Basha.
Në fakt shumica e deputetëve të PD e kanë thënë hapur se problemi më i madh për bashkimin e PD është Sali Berisha, i cili për interesa personale vazhdon të mbajë peng demokratët të rikthehen në një altrantivë e fuqishme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare./ Pamfleti
Lini një Përgjigje