
Nis takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij britanik Rishi Sunak. Kreu i qeverisë shqiptare ka nisur sot një vizitë zyrtare në Londër për të diskutuar krizën e emigrantëve. Rama u takua me disa zyrtarë vendas, për të përmbyllur vizitën me një bisedë kokë më kokë me Sunak.
Gjatë bashkëbisedimit me Sunak, Rama shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar për emigrimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Anglisë dhe goditjes së bandave kriminale, pjesë e të cilave janë dhe persona nga Shqipëria.
“Faleminderit kryeministër, jam shumë i nderuar. Sikurse e dini, kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike. Jam falënderues për këtë. Është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona.
Sikurse ju e thatë, ne po bashkojmë forcat për të bërë gjithçka për të goditur rrjetet kriminale dhe të shmangim që njerëzit e pafajshëm të bien pre e këtyre rrjeteve.
Në të njëjtën kohë, unë ju falënderoj sepse është një mundësi të theksojmë se ashtu si jo të gjithë britanikët nuk janë James Bond ose Mr. Bean, jo të gjithë shqiptarët janë si disa karaktere të jashtëligjshme.
Djali që vjen me gomone… nuk është vetëm ai shqiptari, por është pjesë e një kornize të gjerë. Dua Lipa nuk është thjesht një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të kënduar për ju.
Ne duam t’ju sigurojmë se komuniteti shqiptar këtu ndihet jo vetëm i sigurt, por dhe i nderuar. Objektivi ynë i përbashkët është të fitojmë këtë betejë. Jemi të interesuar të forcojmë bashkëpunimin midis nesh. Jam vërtet serioz për të pasur marrëveshje jo thjesht në fjalë. Pres që të bëjmë më të mirën së bashku”, tha ai.
Londra ka shfaqur shumë kritika për emigrantët shqiptarë dhe në shumë raste ka pasur dhe përplasje diplomatike mes dy vendeve. Më herër, Rama nuk i ndali sulmet ndaj ministres së Brendshme.
“Fatkeqësisht, ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë duke u veçuar në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike” tha ai sot për programin Today të BBC Radio 4.
Lini një Përgjigje