
Qasja e Bashkimit Evropian në menaxhimin e flukseve të emigrantëve, varet shumë nga marrëveshjet për kontrollin kufitar tek vendet jo anëtare, veçanërisht në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore (MENA). Shumë politikanë të ekstremit të djathtë, e mbështesin me entuziazëm këtë politikë.
19 vende nënshkruan kohët e fundit një letër, ku bënin thirrje për të shkuar “përtej paktit të BE-së për migracionin”, dhe për të forcuar kontrollin e kësaj dukurie. Teorikisht, kjo është një qasje me dy kahje: BE-ja u dërgon para qeverive të MENA-s për të parandaluar largimin e emigrantëve nga kufijtë e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës brenda tyre, duke i dekurajuar njerëzit që të largohen nga vendi i tyre.
Por shumica e këtyre parave shkojnë për zbatimin e masave të dhunshme, madje vdekjeprurëse kundër migracionit, të cilat ndodhin jashtë juridiksionit të BE-së. Këto shkelje të të drejtave të njeriut, bien ndesh me vlerat e lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit të BE-ja dhe e rrezikojnë ndikimin e saj si një fuqi e bazuar tek vlerat.
Kjo strategji dritëshkurtër, e kushtueshme dhe e papërshtatshme, minon tek e fundit besueshmërinë dhe efektivitetin e BE-së në skenën globale, duke e dëmtuar pozitën rajonale dhe ndërkombëtare të bllokut, dhe duke nxjerrë në pah hipokrizinë e saj.
Po ashtu, Brukseli ka dështuar të reduktojë numrin e hyrjeve të parregullta apo të adresojë shkaqet rrënjësore të problemit. Dhe në vend të kësaj, ka vënë në rrezik apo ka sjellë humbjen e dhjetëra mijëra jetëve njerëzore. Të dhënat janë tronditëse. Sipas një studimit të vitit të kaluar të porositur nga vetë BE-ja, gjatë periudhës janar-qershor 2022, 5 emigrantë kanë vdekur çdo ditë në përpjekje për të kaluar Mesdheun.
Ndërkohë 29.734 persona, janë regjistruar si të zhdukur që nga viti 2014. Kontrolli i jashtëm i kufijve të Evropës ka nisur që në fillim të viteve 2000, por u përshkallëzua gjatë krizës së emigrantëve të vitit 2015. Që nga ajo kohë, shuma të mëdha parash u janë dhënë vendeve fqinje nën maskën e “menaxhimit të migracionit”.
Kryesisht, kjo përfshin Fondin për Azilin, Migracionin dhe Integrimin, i cili do të jetë 9.9 miliardë euro për periudhën 2021-2027, një rritje e konsiderueshme nga niveli 3.137 miliardë euro gjatë periudhës 2014-2020. Po ashtu, janë nënshtruar marrëveshje dhe partneritete specifike.
Këtu përfshihet marrëveshja BE-Turqi e 2016-ës me vlere 6 miliardë euro, që synonte frenimin e migracionit, por që në fakt shtoi levat e presionit të Turqisë mbi BE-në. Një fond prej 210 milionësh euro iu dha Mauritanisë për ta inkurajuar të frenojë migracionin e paligjshëm.
7.4 miliardë do të marrë Egjiptit deri në vitin 2027, dhe 1 miliard euro ndihmë financiare i janë premtuar Libanit për periudhën 2024-2027. Pavarësisht këtyre angazhimeve financiare, numri i hyrjeve të parregullta në BE vazhdon të rritet. Që nga nëntori 2023, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin kishte regjistruar gjithsej 264.000 raste të parregullta, një rritje e madhe krahasuar me vitin 2022 (190.000 raste ) dhe 2021-in (150.000 raste).
Kohët e fundit janë publikuar raporte investigative mbi grumbullimin e emigrantëve në mes të shkretëtirës, në Mauritani, Marok dhe Tunizi. Pra burra, fëmijët dhe gra shtatzëna dërgohen atje dhe lihen në mëshirë të fatit. Ndërsa Brukseli mohon të ketë gisht në këtë gjë, investigimet thonë se “dy burime të larta në BE-së thanë se është të pamundur të dihet plotësisht sesi u përdor financimi evropian mbi këtë çështje”.
Duke i dhënë para regjimeve autokratike që janë të përgatitura të zbatojnë metoda të tilla mizore, në vend se të adresojë shkaqet rrënjësore që e nxisin migracionin, BE-ja ka kompromentuar vlerat e saj, ka nxitur përçarjet e brendshme në union dhe e ka dëmtuar imazhin e saj si mbrojtëse e të drejtave të njeriut.
Po ashtu, kjo qasje e dëmton aftësinë e BE-së për të mbrojtur parime si të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës, dhe e zbeh pozitën e saj morale dhe autonominë strategjike.
Një shembull tipik, është bashkëpunimi i BE-së me Libinë për të frenuar migrimin përmes Mesdheut.
Me gjithë abuzimet e mirë-dokumentuara me të drejtat e njeriut në qendrat libiane të paraburgimit - duke përfshirë torturën, punën e detyruar dhe dhunën seksuale - BE-ja ka ofruar fonde dhe trajnim për Rojet Bregdetare të Libisë për të kapur anijet me emigrantë dhe për t’i kthyer ata tek këto kushte abuzive.
Gjatë viteve të fundit, janë publikuar raporte mbi abuzime të rënda ndaj emigrantëve në Libi - si burrat që shiten në ankandet e skllevërve - duke treguar mizorinë ekstreme me të cilën përballen emigrantët e bllokuar atje. E megjithatë, BE-ja ka vazhduar partneritetin e saj, duke e justifikuar atë si një mënyrë për të shpëtuar jetën e njerëzve në det, ndërsa mbyll njërin sy ndaj realitetit të tmerrshëm me të cilin përballen emigrantët pasi kthehen në Libi.
Duke kompromentuar vlerat e saj, krijuar varësi nga fuqitë e pasigurta, dhe duke u ekspozuar ndaj rreziqeve, BE-ja po e dobëson aftësinë e saj për të vepruar si një lidere e fortë dhe bindëse në skenën ndërkombëtare. Nëse ajo do që ta ruajë besueshmërinë e saj, të mbështesë parimet e saj dhe të rrisë ndikimin e saj global, duhet të marrë një qasje parimore dhe gjithëpërfshirëse për menaxhimin e migracionit.
Edhe ideja se marrëveshjet e jashtme të migracionit, mund të qetësojnë ndjenjat e ekstremit të djathtë, është deluzive. Në vend se të adresohen shkaqet kryesore të migrimit apo të mbështesin vlerat e tij liberale, këto masa reaktive rrezikojnë të dëmtojnë më tej besueshmërinë e BE-së në sytë e qytetarët e vet dhe komunitetit ndërkombëtar.
Që të mbështesë vlerat dhe të përmirësojë pozitën e saj globale, BE-ja ka nevojë për një qasje më të ekuilibruar dhe më parimore për menaxhimin e migracionit. Dhe ekzistojnë shumë mënyra se si mund ta bëjë këtë: mbështetja e reformave domethënëse demokratike në shtetet e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme; një përgjegjshmëri më e madhe në menaxhimin e flukseve migratore dhe më e rëndësishmja, hapja e rrugëve të sigurta që të reduktohet varësia e emigrantëve në rrugët e parregullta dhe rrjetet e trafikut të qenieve njerëzore.
Strategjia aktuale po dështon në mënyrë të trishtë, dhe në të gjitha aspektet. Duhet pak më shumë se sa vetëm të harxhosh para për problemin, para që nëse shpenzohen siç duhet, mund të parandalojnë humbjet e jetëve të njerëzve, të përmirësojnë standardet e jetesës dhe ekonomitë e vendeve të MENA-s, dhe të zvogëlojnë stimujt për t’i braktisur këto vende./Përshtati Pamfleti nga “The Conversation”
Lini një Përgjigje