Deputeti demokrat, Luan Baçi ka kushtëzuar bashkëpunimin me maxhorancën për komisionin e posaçëm antikorrupsion, vetëm në rast se ngrihet një qeveri teknik.
Në studion e emisionit “3D”, Baçi tha se kërkon një qeveri teknike 6 muaj para zgjedhjeve, në të kundërt, theksoi ai, opozita nuk duhet të ketë asnjë lloj marrëveshje me Ramën.
“Ka patur diskutime, ka patur mendime që të bëjmë edhe ne propozime, rezoluta, por mbi të gjitha ka qenë edhe një propozim i imi që kam thënë se do bija dakord me një komision të posaçëm antikorrupsion, të ngrihet një qeveri teknik dhe atëherë ne i hapim rrugë çdo lloj lëvizje. Një qeveri teknike 6 muaj para zgjedhjeve. Nëse nuk ka një qeveri teknike, opozita nuk duhet të ketë asnjë lloj marrëveshje me Edi Ramën e këtë maxhorancë”, tha Baçi.
Kuvendi ka miratuar dje me 74 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion.
Ky komisioni mori vetëm votat e mazhorancës, ndërsa shumica e demokratëve nuk morën pjesë në votim. Ndërsa kundër votuan Ervin Salianji, Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Elda Hoti, Agron Shehaj dhe Albana Vokshi.
Seanca parlamentare dje është shoqëruar me debate pasi opozita është shprehur kundër ngritjes së këtij komisioni.
Lulzim Basha e ka quajtur atë një manovër elektorale.
Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.
Edhe pse opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, parashikohet që Komisioni të ketë 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita.
Lini një Përgjigje