Pavarësisht se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, 245 anëtarë votuan që të anulohen zgjedhjet për kryetar që janë parashikuar të zhvillohen të shtunën, grupi i Lulzim Bashës nuk tërhiqet.
Ata kanë publikuar në rrjetet sociale vendet se ku do të votohet nesër. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në orën 19:00.
“Të nderuar anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë! Nesër më datë 29.07.2023, zhvillohet procesi i zgjedhjeve për Kryetar të PDSH! Ftojmë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të marrin pjesë në këtë proces mjaft të rëndësishëm për ringritjen e PD. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00. Ju vendosni të ardhmen e PD dhe të ardhmen e Shqipërisë”, thuhej në njoftim.
Këshilli Kombëtar i PD zhvilloi dje një mbledhje online. Anëtarët e saj e konsiderojnë procesin e 29 Korrikut si antistatutor dhe farsë.
Po ashtu, në mbledhje u pranua dorëheqja e Lulzim Bashës, e datës 21 Mars 2022 dhe po ashtu ajo e Enkelejd Alibeajt që mban datën 17 Maj 2023.
Vendimi i djeshëm i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike "ka zgjuar" edhe vetë Lulzim Bashën i cili thotë të vijohet me zgjedhjet e 29 korrikut.
Ish-kryedemokrati shprehet në një postim në Facebook se më 29 korrik, demokratët do të shprehin vullnetin e tyre. Këtë datë, Lulzim Basha e cilëson si një nga momentet më të rëndësishme për PD-në, pasi siç shprehet ai, nuk votohet vetëm për kryetarin por edhe për “të nisur një rrugëtim të ri.”
Basha shprehet se Partia Demokratike nuk është pronë e asnjë individi, por investim i përbashkët i demokratëve.
Nga ana tjetër, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Gazment Bardhi deklaroi se “Lulzim Basha mund t’i mbajë zgjedhjet, por do të cilësohen antistatutore.”
Në zgjedhjet e 29 Korrikut kandidojnë Lulzim Basha dhe Gjergji Hani.
Lini një Përgjigje