TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Korrik 2023, 08:10

Rama mbledh sot kabinetin qeveritar në Tepelenë, priten ndryshime në qeveri

Shkruar nga Pamfleti
Rama mbledh sot kabinetin qeveritar në Tepelenë, priten ndryshime
Kryeministri Edi Rama

Pas ndryshimeve të bëra në kupolën drejtuese të PS-së në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, sot dhe nesër (28-29 Korrik) kryeministri Edi Rama do të mbledhë kabinetin e tij qeveritar në Tepelenë.

Sipas informacioneve, secili prej ministrave përkatës do të bëjë një analizë të thellë të punës së realizuar deri më tani. Bëhet me dije se pas analizës dy ditore në kabinet, nuk përjashtohet mundësia që kreu i qeverisë të vijoj me të tjera ndryshime.

Kjo u paralajmërua edhe nga kryeministri Rama në mbledhjen e Asamblesë, ku burime thanë se kryesocialisti kishte deklaruar se 'me qeverinë do merrej gjatë mbledhjes në Tepelenë'.

Të gjithë ministrat kanë konfirmuar pjesëmarrjen, përveç ministres së Arsimit, Evis Kushi. Në vend të saj do të shkojë zv.ministrja Albana Tole.

I gjithë Sekretariati i PS u shkarkua në Asamblenë Socialiste, ndërsa në shtator një Kongres i jashtëzakonshëm do të zgjedhë emrat e rinj.

Kujtojmë se, Asambleja Kombëtare e PS-së zgjodhi si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosin, i cili më herët ka mbajtur pozicionin Sekretari Organizativ në parti. Që prej shtatorit të vitit 2021, vendin e tij më parë e ka mbajtur Damian Gjiknuri. Ndërkohë Bledi Çuçi u emërua kryetar i grupit parlamentar të PS-së.

Më herët mediat folën për një largim të ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj por vetë ministrja dhe Kryeministri Rama e mohuan. Nëse do të ketë apo jo ndryshime në kabinet kjo do të mësohet në ditët në vijim ndërkohë që shtator pritet të jetë i ngjeshur me punë për socialistët. Në fillim të vjeshtës Asambleja vendosi thirrjen e Kongresit socialist.

Në një prononcim të shkurtër për gazetarët pak para nisjes së asamblesë kombëtare të PS-së, Ibrahimaj tha se janë thashetheme vere.

"Jo nuk jam shkarkuar. Është koha e thashethemeve të verës", tha Ibrahimaj.

Këtë e konfirmoi edhe kryeministri Rama, i cili u shpreh: "Jo, jo".

Sekretariati i PS i shkarkuar:

1.Sekretar i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri

2.Sekretari për Organizimin, Blendi Klosi

3-Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Eridian Salianji

4-Sekretare për Burimet Njerëzore Anila Denaj

5-Sekretare për Koordinimin, Blerina Gjylameti

6-Sekretari Dixhital, Etjen Xhafaj

7-Sekretare për Gruan, Etilda Gjonaj

8-Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë, Romina Kuko

9-Sekretari për Migracionin, Laert Duraj

Gjithashtu, kryeministri Rama në Asamblenë e PS-së u dha disa mesazhe të qarta ministrave, deputetëve apo edhe kryetarëve të bashkisë.

“Kryebashkiakët të bëjnë punë të ndershme, të mos shkojnë në dyert e SPAK. Deputetet të angazhohen me shumë si në terren edhe në jetën parlamentare”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera ai theksoi se: "PS nuk do të jetë mburojë e askujt”.

rama kabinet tepelene qeveri

Lini një Përgjigje