Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sot në orën 12:00 pas kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Kjo mbledhje vjen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë ende me një vendim për rastin Balluku.
Socialistët nuk kanë pranuar të shqyrtojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit e Ballukut, deri sa Gjykata Kushtetuese të dilte me një vendim. Kjo e fundit e mori në shqyrtim ankimin e qeverisë në një seancë publike më 22 janar, por ende nuk ka një vendimarrje mbi rastin, pasi gjyqtarëve kushtetues iu duhet më shumë kohë.
Ende nuk dihet nëse Këshilli i Mandateve i drejtuar nga kryeparlamentari Niko Peleshi, do të shqyrtojë kërkesën e SPAK, apo do të kërkojë më shumë kohe si në rastin e kushtetueses.
GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.
Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.
Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.
Lini një Përgjigje