TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Janar 2026, 21:49

Kuvendi kthehet në noter pas ultimatumit të Ramës, kalon 16 ligje me shpejtësi duke u fshehur pas integrimit

Shkruar nga Pamfleti
Kuvendi kthehet në noter pas ultimatumit të Ramës, kalon 16 ligje
Kuvendi i Shqipërisë

Ligjet që sjell qeveria në kuadër të integrimit, nuk preken nga Parlamenti...

Në mbledhjen e grupit parlamentar më 16 janar, Edi Rama u dha disa direktiva deputetëve socialistë, ku më kryesorja ishte që ata të mos guxojnë të prekin ligjet që dërgon qeveria, lidhur me integrimin.

Qeveria i ka vënë si synim vetes mbylljen e kapitujve me BE-në në vitin 2027 dhe janë shumë ligje që duhet të ndryshohen për t’u afruar me standardet e BE-së. Për këtë arsye, Rama kërkoi që Kuvendi të kthehet në një noter të qeverisë.

Kemi pasur disa raste që, në mënyrë të natyrshme, procesi i diskutimeve dhe miratimi i ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar ose është marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Ne nuk e kemi këtë liri. Kemi lirinë që të negociojmë me BE-në, nuk kemi lirinë që, pasi negociojmë, të diskutojmë. Negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohen me Komisionin, i imponohen qeverisë dhe vijnë në parlament. Në momentin kur vijnë në parlament, duhet miratuar dhe jo diskutuar, sepse që t’i hymë diskutimit të një ligji të tillë, duhet më parë të diskutojmë a duam të hymë në BE apo jo”, tha Rama.

Dhe pas ultimatumit të tij, duket se Kuvendi është kthyer në një noter të qeverisë. Sot Kuvendi u mblodh në një seancë maratonë, pasi në rend dite janë 21 pika, ku mes tyre janë 16 ligje që kanë të bëjnë me integrimin.

Pothuajse të gjitha ligjet janë hedhur në votim ashtu siç i ka dërguar qeveria. Vetëm në disa ka pasur ndryshime shumë të vogla, ndërsa pjesa tjetër nuk janë pjekur dhe Komisionet Parlamentare thjesht i kanë vulosur, edhe pse qëllimi i tyre është që të bëjnë ndryshime kur është nevoja.

Madje edhe shumë amendamente që janë dorëzuar sot, sidomos nga opozita, janë refuzuar nga mazhoranca. Kuvendi vijon dhe sinjalet janë se do të ketë shumë seanca të tjera të ngjashme, ku ligjet do të kalojnë siç i sjell qeveria, pa u bërë asnjë ndryshim.

Dhe në rend dite ka ligje me shumë rëndësi, siç është Kodi Penal, ku qeveria do nisë të arrestojë njerëz për parkim dysh. Por jetojmë në republikën “Rama” dhe ai është “vetë Ali dhe vetë Kadi”. 

Ligjet që miratohen sot në kuadër të integrimit

-Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Pronësinë Intelektuale, Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale të Lidhura me To, bërë në Gjenevë, më 24 maj 2024".

-Projektligji "Për ratifikimin e vendimit nr. 5/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore "Për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale".

-Projektligji "Për ratifikimin e vendimit nr. 6/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore "Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë"".

-Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme në produktet e duhanit".

-Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.

-Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.

-Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

-Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", të ndryshuar.

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope"".

-Projektligji "Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, "Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope", të ndryshuar.

-Projektligji "Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje".

-Projektligji "Për lobimin në Republikën e Shqipërisë".

-Projektligji "Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve".

-Projektligji "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike".

-Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 "Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

-Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit".

-Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 "Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar.

/Pamfleti

ligjet e be integrimi kuvendi rama

Lini një Përgjigje