TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Janar 2026, 21:31

Erion Braçe “shpërthen” ndaj politikës greke: Mjaft më me radhët në kufi dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve

Shkruar nga Pamfleti
Erion Braçe “shpërthen” ndaj politikës greke: Mjaft
Erion Braçe

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, gjatë debatit në Kuvend mbi marrëveshjen dypalëshe me Italinë, nuk kurseu kritikat e ashpra ndaj sjelljes së shtetit grek kundrejt emigrantëve shqiptarë.

Ai e vlerësoi marrëveshjen me Italinë si një model bashkëpunimi të sinqertë dhe të frytshëm, ndërsa e vendosi në kontrast të drejtpërdrejtë me marrëdhëniet problematike me Greqinë.

Ne me Italinë kemi kaluar çdo kufi bashkëpunimi institucional. Marrëdhëniet janë në nivelin më të lartë të mundshëm. Shqipërisë i ofrohet dijë, teknologji dhe eksperiencë për të zhvilluar ekonominë, shëndetësinë, arsimin. Atje, shqiptarët janë të integruar, kanë biznese, kanë status”, tha Braçe. Por në të njëjtën frymë, ai shtoi me ton të prerë: “Sa më lart ngjiten marrëdhëniet me Italinë, aq më problematike duken marrëdhëniet me Greqinë.

Në vijim, Braçe e quajti “turpëruese” mënyrën sesi Greqia i trajton shqiptarët, sidomos në kufi. “Ajo sjellje e përvitshme me radhët 5-6 kilometra në Kakavijë, sa herë ka Pashkë apo pushime verore, është e papranueshme. Dy policë me urdhër të heshtur krijojnë pengesa artificiale për njerëzit që duan të kthehen në vendin e tyre”, tha ai.

Sipas Braçes, kjo nuk është thjesht çështje teknike apo administrative, por një qasje politike diskriminuese ndaj shqiptarëve. “Nuk mund të na shohin vetëm si krah pune. Ne kemi dhënë kontribut ekonomik të madh në Greqi. Shqiptarët janë ndër punëtorët më të vlerësuar atje. Por kjo nuk reflektohet në trajtimin që u bëhet”, theksoi ai.

Ai solli në vëmendje edhe marrëveshjen për pensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila sipas tij mbetet vetëm në letër. “E kemi marrëveshjen me vendet kryesore të Europës, por jo me Greqinë. 3800 shqiptarë kanë aplikuar, 500 dosje janë dërguar, por asnjë nuk ka përfituar ende. Burokracitë greke po e zvarrisin një të drejtë të merituar”, u shpreh Braçe.

Deputeti socialist vlerësoi përkushtimin e Italisë për të ndihmuar Shqipërinë në integrimin europian, ndërsa për Greqinë kishte një apel të qartë: “Greqia është anëtare e Bashkimit Europian. Ka përgjegjësi për të trajtuar shqiptarët me dinjitet. Jo më si të huaj të dorës së dytë, jo më me barriera absurde dhe leje që varen nga sigurimet shoqërore të paguara nën presion”.

Në përfundim të fjalës së tij, Braçe bëri thirrje që marrëdhënia me Greqinë të trajtohet me seriozitet dhe që shteti shqiptar të kërkojë zbatimin e plotë të të drejtave të qytetarëve të tij atje. “Italia është duke u zgjidhur. Greqia duhet të jetë në radhë”, përfundoi ai me një mesazh të drejtpërdrejtë për qeverinë greke.

braçe greket kuvend

Lini një Përgjigje