Ditën e hënë në momentin që në Kryesinë e Kuvendit, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të vendosë për kërkesën e SPAK-ut për Sali Berisha, grupi i tij do të protestojë jashtë godinës.
Por a është kjo protestë për interesa personale apo për Shqipërinë?
I pyetur nga gazetarët mesditën e sotme, ish-kryeministri tha se kjo nuk po bëhet për hallin e tij.
“Kjo është një protestë vetëm për Shqipërinë. Kemi një dallim shumë të madh me disa arsyetime të sotme. Për ata të cilët njohin totalitarizmin dhe diktaturat, kjo që ndodh në Shqipëri është në mënyrë absolute vendosje e diktaturës së bandave, por ka të tjerë, të cilët nuk mendojnë kështu sepse shohin që parlamenti ka disa forca politike, shohin që njerëzit lëvizin lirshëm, por çfarë është kjo? Diktatura e bandave nuk është kurrë diktaturë me burgje dhe kampe përqëndrimi, nuk është kurrë diktaturë me izolim. Narko-diktatura është diktaturë sepse njësoj si në diktaturën ideologjike, të gjitha pushtetet përqëndrohen në dorën e një njeriu”, shprehet Berisha.
Më datë 18 Dhjetor, në ditën e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, PD-ja do të dalë në protestë në orën 11:30 para Kryesisë së Kuvendit.
Lini një Përgjigje