
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, është shprehur se është e pavend që kreun e Grupit Parlamentar të PD-së ta caktojë maxhoranca. Ai gjithashtu komentoi edhe përplasjen me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të cilën tha se nuk është i detyruar të ndjekë një rrugë në cilën nuk beson.
Sipas tij, Basha po ndjek një rrugë që nuk e çon partinë në fitore dhe po vepron në kundërshtim me statutin e partisë.
I pyetur se kë njeh kryetar të Partisë Demokratike, Bardhi tha se në këtë moment nuk ka kryetar të Partisë Demokratike, duke shtuar se njeh vendimin e organit më të lartë drejtues të partisë.
“Sipas ligjit sot, PD nuk ka një kryetar legjitim, sipas rregullave statutore dhe ligjeve të vendit. Për mua PD nuk lidhet me emrin e një individi, por me sakrificën dhe mundin e mijëra njerëzve që duan ta shohin këtë parti të fortë. Unë nuk jam i detyruar të njoh askënd që është i paligjshëm. Unë njoh vlerat demokratike, s’jam i detyruar as ta njoh, as t’i shkoj pas një rrugë që të çon drejt humnerës, apo t’i bie murit me kokë”, tha Bardhi.
Bardhi u pyet nëse e njeh kandidatin për Bashkinë e Kukësit. Ai u përgjigj duke thënë se njeh kandidatin e opozitës së Kukësit, atë të PD-së dhe PS-së. Më tej shtoi se nuk ka rëndësi sigla.
“Unë njoh kandidatin e opozitës për Kukësin, atë të PD-së dhe PS-së. Nuk ka rëndësi sigla. Unë jam opozitar dhe në opozitë duhet të bëj zgjedhje. Unë kam zgjedhur të bëhem pjesë e zgjedhës së çdo gazetari”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje