TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Shtator 2023, 14:20

Zgjedhjet në Kukës/ KAS rrëzon Berishën, njeh Lulzim Bashën si kryetar të PD

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet në Kukës/ KAS rrëzon Berishën, njeh Lulzim
Berisha, Basha, Celibashi

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi këtë të mërkurë rrëzimin e kërkesës së grupit të Sali Berishës, duke njohur si kryetar të PD-së zyrtare Lulzim Bashën.

KAS la kështu në fuqi vendimin e datës 4 shtator të Komisionerit Ilirjan Celibashi, i cili regjistroi Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën për zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit.

Pavarësisht pretendimeve të përfaqësuesit ligjor të Rithemelimit për regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën, Celibashi njoftoi se Gjykata e Tiranës njeh për kryetar Bashën.
Ai sqaroi edhe njëherë se në regjistrin e partive ekziston vetëm një PD, ku Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij janë ata që disponojnë vulën dhe logon.

Dje grupi i Berishës dërgoi në KQZ kërkesën për t’u regjistruar.

Kandidati Emri Vata i dalë nga “Primaret” e Berishës do të regjistrohet dhe garojë si në 14 Maj nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” me partinë e  Ilir Metës.

Për zgjedhjet e Kukësit, Partia Socialiste kandidon me Prefektin e Qarkut, Albert Halilaj, koalicioni Bashkë Fitojmë kandidon me Emri Vatën, ndërsa PD zyrtare, e drejtuar nga Basha, nuk ka caktuar ende asnjë kandidat.

Për këto zgjedhje forcat politike kanë pasur afat deri me datë 1 shtator për t'u regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore, ndërsa kandidatët jo më vonë se data 8 shtator. 

Tashmë siç dihet opozita do të shkojë e përçarë edhe në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit, duke e ndarë votën mes dy kandidatëve. 

Zgjedhjet e pjesshme do të mbahen pasi Safet Gjici dha dorëheqjen për shkak të video-skandalit seksual, të filmuar në zyrën e tij.

Në krahun tjetër, grupi i Berishës mori një fitore të vogël sot nga KAS-i, që rrëzoi kërkesën e Bashës duke i dhënë të drejtën koalicionit “Bashkë Fitojmë” dy komisionerë dhe PD-së zyrtare vetëm një, pasi në 14 Maj doli forcë e tretë.

kas rrëzon berishën zgjedhjet në kukës

Lini një Përgjigje