
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina duke folur mbi situatën e krijuar në jetën parlamentare prej javësh, i quajti deputetët e grupit të Berishës dhe Bardhit si njerëz të vegjël.
Në një intervistë për “Report Tv”, ajo deklaroi se veprimet e tyre në Kuvend tregojnë se ata e kanë humbur totalisht arsyen.
“Jo vetëm që nuk janë politikanë, por njerëz shumë të vegjël. Si duket e kanë humbur komplet arsyen. Këto janë akte mbijetese dhe kanë humbur pikë edhe nga ato pak persona që mund t’i kenë mbështetur më herët”, u shpreh ajo.
Sipas zëdhënëses së PD-së, duhej që deputetët grupit të Bardhit dhe Berishës të linin mënjanë aksionin e tyre të dhunshëm në ditën kur u mbajt seanca për miratimin e buxhetit 2024.
“Është për të ardhur keq, po kalohej buxheti I 2024 që lidhet direkt me jetën e qytetarëve, ku do i të shkojnë lekët, a do ketë rritje pagash, pensionesh, a do të ketë fonde për bujqësinë...fondet IPARD nuk shkojnë për bujqësinë. Ai grupim ka humbur rrugën, minuan diskutimin për buxhetin duke bërë që të kalojë fare butë, për 4 minuta. PD ka ngritur shqetësime pse ky buxhet nuk shkon për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Kjo pjesë e opozitës nuk ka për interes qytetarët. PD-së iu bë tradhti nga kjo pjesë e opozitës. Qytetarët duan zgjidhje. Qytetarët duan të dinë pse ky buxhet nuyk do të shkojë për përmirësimin e jetës së tyre. Grupi i Rithemelimit kanë humbur busullën”, tha Karabina.
Sa i takon propozimit të partive të vogla për krijimin e një Federate Opozitare, Karabina tha se nuk përjashtohet mundësia e bashkëpunimit me forcat opozitare në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Ndërsa për mundësinë e negociatave të mundshme me grupin e Bardhit, ajo u shpreh se PD e ka derën të hapur për personat që duan të ndjekin agjendën e PD.
“PD ka një agjendë të saj, kushdo që e ndjen veten e ka derën të hapur në PD. Kemi një lëvizje dhe grupim (të Berishës) që ka ardhur duke u rrudhur me revolucione që nuk ndezin asnjëherë”, nënvizoi zëdhënësja.
Për organizimin brenda partisë, ajo njoftoi se në fund të vitit përfundojnë zgjedhjet për nivelet e dyta të drejtimit ndërsa në janar mbahen zgjedhjet për kryetarë të degëve të PD në rrethe.
Lini një Përgjigje