
Kaosi mes demokratëve vijon të jetë i lartë, teksa zgjedhja e kryetarit të ri rë Partisë Demokratike ka përçarë akoma më shumë PD-në e vulës.
Ditën e sotme Kryesia ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar në orën 12:00.
Mësohet se 17 deputetë të PD-së kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë mbledhjen, për verifikimin e listës së anëtarëve të këshillit dhe të listës së zgjedhësve të cilët do të votojnë për kreun e ri të demokratëve.
Në një prononcim për gazetarët dje, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se mbledhja që pritet të mbahet sot nga Këshilli Kombëtar i PD-së është ilegjitime dhe e papranueshme për shkak se anëtarët e kryesisë që e kanë njoftuar, kanë vepruar në kundërshtim me statutin duke shkelur kompetencat e tij si Sekretar i Përgjithshëm i partisë.
“Pas zgjedhjeve të 14 majit menduam se faktorët e rëndësishme brenda nesh do ti shërbenin demokratëve dhe vendit. Një opozitë e dobët i shërben Edi Ramës. Ne propozuar platformë për ringritjen e PD që i shërben bashkimit dhe jo ndarjes. Një pjesë e Kryesisë e rrëzoi duke i hapur rrugë zgjedhjet se kryetarit. Vendimet e marra nuk e zgjidhin situatën që po kalon PD. Grupi parlamentar është i bindur se kjo është rruga e gabuar. Por kam detyrimin t’i nënshtrohem vullnetit të shumicës”, tha ai.
Sipas Bardhit, nuk ka përse të veprohet me nxitim për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë. Ai shtoi më tej se veprimet e kryera së fundmi, tregojnë se po veprohet për interesin personal të disa individëve.
PD ka përcaktuar edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për zgjedhjet e 29 korrikut, të lidhura me angazhimin politik në parti, integritetin moral dhe aftësitë organizative.
Kriteret e plota për kandidatët
I. AFTËSITË E ANGAZHIMIT POLITIK
1. Të jetë anëtar i Partisë Demokratike prej të paktën 3 vitesh;
2. Të ketë kontribuuar aktivisht në fushatat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;
3. Të mos ketë dëmtuar interesat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;
II. INTEGRITETI MORAL
1. Të ketë mbrojtur dhe promovuar në vazhdimësi interesat,
vlerat themelore dhe programin e Partisë Demokratike;
2. Të mos ketë masa disiplinore në fuqi sipas parashikimeve të
Statutit të Partisë Demokratike;
3. Të ketë figurë të pastër gjyqësore, duke plotësuar kushtet
e dekriminalizimit (sipas kërkesave të ligjit nr. 138/2015 “Për
garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen
ose ushtrojnë funksione publike”);
4. Të ketë figurë të pastër ideologjike, duke plotësuar kushtet
e dekomunistizimit (të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i
Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës
të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, funksionar i Partisë së Punës të Shqipërisë, kryetar i Gjykatës së Lartë,
Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar
i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme,
punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i
ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror
të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të
posaçme);
5. Të ketë reputacion të lartë në radhët e anëtarësisë së Partisë
Demokratike, tek partnerët ndërkombëtarë, si dhe në opinionin publik:
6. Të jetë i përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe oligarkisë, që kanë krijuar plagë të rënda shoqërore;
III. AFTËSITË ORGANIZATIVE
1. Të ketë kontribut të spikatur profesional dhe politik;
2. Të ketë demonstruar në të shkuarën aftësi të shquara organizative ose të ketë program politik për riorganizimin e Partisë në
përputhje me vlerat themelore statutore;
3. Të ketë njohje të mirë të strukturës organizative të Partisë
Demokratike.
Lini një Përgjigje