TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Shtator 2025, 12:05

“Ju mund të paraqisni edhe qenin Rex si ministër të Brendshëm”, debate në Konferencën e Kryetarëve për Peleshin

Shkruar nga Pamfleti

“Ju mund të paraqisni edhe qenin Rex si ministër të

Konferenca e Kryetarëve, e thirrur nga Niko Peleshi, ku pritet të miratohet përbërja e komisioneve parlamentare dhe anëtarët zëvendësues, ka prodhuar debate mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.

Në mbledhje opozita ka paraqitur kërkesën për mocion mosbesimi ndaj Niko Peleshit, i zgjedhur Kryeparlamentar në 11 shtator, datë kur nisi edhe legjislatura e re parlamentare. Por për socialistët kjo kërkesë është e pabazuar.

“Kërkesa është e pabazuar”, u shpreh Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar socialist, duke mos pranuar propozimin e opozitës.

Në anën tjetër, Agron Gjekmarkaj, nënkryetari demokrat i Kuvendit, akuzoi PS-në se synon asgjesimin e opozitës në Kuvend. Gjekmarkaj tha se opozitës po i mbyllet çdo hapësirë në Kuvendin e Shqipërisë.

Por në anën tjetër Balla tha se Peleshi ka zbatuar rregulloren e Kuvendit dhe nuk ka konsumuar asnjë shkelje, sikundër pretendohet nga opozita.

Qëndrimi nga opozita

Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj, kërkoi ripërtëritjen e seancës për prezantimin e programit të qeverisë dhe votëbesimit të kabinetit.

Gjekmarkaj akuzoi mazhorancën për provokacionet ndaj opozitën, ndërsa parashtroi kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.

Me ironi për ‘Diellën’, Agron Gjekmarkaj tha se “mund të sillni Qenin Rex e ta paraqitni si Ministër të Brendshëm që të lehë për 10 minuta.”

"Jeni në revansh. Sot këtu mungon kryetari i grupit të PD-së. Në vend që të krijoni kushte me urdhra politik po tentoni të asgjësoni opozitën dhe parlamentin. Ju kryetar u shfaqet si atentator. Po minimizoni çdo hapësirë të opozitës.

Ju përjashtuat opozitën nga procesi i integrimit dhe këtë e bëtë që në seancën e parë. Në seancën e dytë ku nuk donit të shfaqnit qeverinë provokuat opozitën. Ju kryetar e keni zhbërë parlamentarizmin. Opozita kërkon ripërsëritjen e seancës dhe ju duhet te mblidhni menjëherë këshillin e legjislacionit për mocion e shkarkimit tuaj.

Parlamentarizmi kërkon vetëdije dhe seriozitet. Ju nesër mund të sillni Qenin Rex e ta paraqitni si Ministër të Brendshëm që të leh për 10 minuta. Tek mazhoranca socialiste ekzistojnë sot vetëm 2 liri. Liria për tu servilosur dhe liria për të shërbyer. Këshillë miqësore, merrni masa se do të ketë pasoja", tha Gjekmarkaj.

Reagimi nga PS

Socialistët kanë mbajtur një qëndrim të prerë në Konferencën e Kryetarëve duke rrëzuar kërkesat e opozitës për ripërsëritjen e seancës parlamentare të 18 shtatorit, ku u miratua mes kaosit përbërja dhe programi i Qeverisë, por edhe për shkarkimin e Niko Peleshit si Kryetar i Kuvendit.

Taulant Balla në emër të mazhorancës tha se kërkesat janë të pabazuara. Balla e cilësoi qëndrimin e mbajtur nga Peleshi në seancë si në përputhje me rregulloren.

Kryetari zbaton vetëm rregulloren, nuk ka bërë asnjë shkelje. Kërkesa juaj është e pabazuar”, ka thënë Balla.

Lini një Përgjigje